29 gusht 2008

Superkupa, për majën e Evropës


Sot në mbrëmje do të luhet përballja mes dy kampionëve evropianë për klube, pikërisht Mançester Junaitid dhe Zenit St.Petersburgut. Anglezët arritën të triumfojnë në trofeun më prestigjioz, Ligën e Kampioneve, duke mundur në finale bashkatdhetarët e Çelsit. Një ndeshje e mbushur me emocione dhe spektakël, e cila e caktoi fituesin e saj pikërisht me anë të gjuajtjes së penalltive. Ndërkohë, në Kupën UEFA, ishte pikërisht Zeniti, ai që arriti t’i surprizojë të gjithë. Edhe pse nuk hynin në listës e ekipeve pretendentë për triumf, rusët triumfuan me meritë të plotë, duke mundur kundërshtarë të fortë, përfshirë dhe gjermanët e Bajernit të Mynihit. Tashmë, të dyja ekipet do të kërkojnë trofeun e vetëm që i vë përballë dy kampionët. Mançesteri dëshiron suksesin, për të ruajtur atmosferën fituese dhe për të nisur me “këmbën e mbarë” një sezon që synohet të jetë gjithashtu i suksesshëm. Por në të vërtetë nuk do jetë edhe aq e lehtë. Në anën tjetër janë rusët, të cilët asnjëherë nuk mund t’i parashikosh dhe që janë po aq të motivuar sa kundërshtari për të treguar potencialin e tyre. Pritet rivalitet i fortë dhe emocione në një përballje mes dy ekipeve që luajnë lojë të shpejtë dhe të bukur, gjithsesi për “djajtë e kuq” do të mungojnë disa lojtarë, midis të cilëve edhe ylli portugez Kristiano Ronaldo, i cili nuk është në kondicionin e duhur fizik.