25 shtator 2008

12-vjeçari Françesko Tahiraj, një shqiptar tek Juventusi

Ai ka lindur më 1996, luan mesfushor, dhe vesh fanellën e Juventusit. Françesko Tahiraj bën pjesë në skuadrën e debutuesve bardhezinj, skuadra e dytë (Esordienti, Fascia B). Në mes 23 fëmijëve të tjerë, edhe ai ka në zemër një ëndërr: të arrijë të veshë si i rritur fanellën legjendare të Juventusit, 27 herë kampione e Italisë, dy herë kampione e Europës dhe e botës.Pak dihet për shqiptarin e vogël Françesko, veçse mbiemri Tahiraj nuk lë asnjë dyshim për prejardhjen e tij. Madje, mund të thuhet me bindje se ai i përket një familjeje shqiptare që ka emigruar në Itali nga Shqipëria, besohet jo nga Kosova apo Maqedonia, thjesht duke pasur parasysh tendencën e emigrimit të shqiptarëve.Tahiraj nuk është i vetmi futbollist i ri apo fëmijë shqiptar që militon në futbollin italian. Tek klubi rival qytetas, Torino, është edhe një tjetër bashkëkombas i yni. Ai quhet Federiko Zenuni dhe bën pjesë në ekipet e të vegjëlve torinezë. Zenuni është lindur më 19 janar 1997 dhe sot është 11 vjeç.Mediat italiane shkruajnë për një fëmijë shqiptar, të quajtur Redis Hoxha, i cili ka dalë në fushë në pushim të një ndeshjeje Itali-Rumani. Redisi bën pjesë në ekipin e quajtur Avanguardia dhe në të njëjtën veprimtari ka dalë në fushë edhe shqiptari tjetër, Andrea Gjushi, që i përket ekipit të Virtusit të Botegones.Tek të njohurit hyjnë mbrojtësi i Milanit, Andi Corri, tashmë 17-vjeçar, që është thirrur edhe në ekipet e moshave nga trajneri Shpëtim Duro. Corri është lindur në Shkodër më 27 mars të vitit 1991 dhe shpreson të bëjë përpara në karrierën e tij, në mos në klubin kuqezi, të paktën në një të Serisë A.Qyteti i Milanos ka edhe ekipin e Interit dhe aty janë të paktën dy shqiptarë. Njëri prej tyre njihet, ai është Fabio Hoxha, 15-vjeçar, që është thirrur në ekipin U15 të Shqipërisë. Ai luan në ekipin e nxënësve rajonalë të klubit zikaltër. Një djalosh tjetër shqiptar, që nuk është publikuar ende në mediat e këtejshme të Adriatikut është edhe Andrea Qarri. Lindur më 16 tetor 1994, pra 14 vjeç, Qarri bën pjesë në ekipin e paratërinjve rajonalë të Interit.Deri më sot ishim mësuar të kishte shumicë shqiptarësh në futbollin gjerman dhe atë zviceran, diçka edhe në Suedi, por Italia po hyn fuqishëm në këtë hartë. Për të depërtuar deri në Apenine ka qenë më e vështirë, jo edhe aq nga konkurrenca, sesa nga faktori kohë. Shqiptarët nisën të emigronin drejt Italisë vetëm në fillim të viteve 90-të, ndërsa në Gjermani, Zvicër apo Skandinavi, shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë janë vendosur duke nisur nga vitet 70-të të paktën..