22 shtator 2008

Amauri, përsëri deciziv për Juventusin

Amauri de Karvajo po i justifikon në maksimum 23 milionë eurot që Juventusi shpenzoi në merkaton e kësaj vere për të transferuar brazilianin nga Palermoja në Torino. Sulmuesi i bardhezinjve, ashtu si në ndeshjen kundër Udinezes, ka qenë vendimtar edhe në sfidën e pasdites së djeshme me Kaljarin, fitore e vulosur përsëri vetëm falë golit të tij. Gjithsesi, Klaudio Ranieri ndonëse i kënaqur për tri pikët e marra në një transfertë jo të lehtë, kërkon më shumë agresivitet nga ana e sulmuesve të tij në zonën e rreptësisë kundërshtare. “Duhet të konkretizojmë më shumë në zonën kundërshtare, ndonëse për momentin fatmirësisht nuk po pësojmë gol. Nuk jemi ende një skuadër konkrete, pasi në rast të kundërt dje duhet të kishim fituar me një diferencë më të madhe golash. Kemi vuajtur shumë me Kaljarin, pasi rezultati 1-0 nuk na siguronte asgjë. Gjithsesi, besoj se duke u stërvitur intensivisht do të zgjidhim edhe këto probleme”, thekson Ranieri. Tekniku i “Zonjës së Vjetër” nuk harron të përgëzojë edhe autorin e vetëm të golit bardhezi dhe të të gjithë sfidës, Amaurin: “Është padyshim një blerje e goditur. Edhe në Kaljari, ashtu si ndaj Udinezes ka qenë deciziv. Po ashtu dua të falënderoj edhe pjesën tjetër të skuadrës, e cila është gjithmonë e gatshme për të dhënë kontributin e saj, mbi të gjitha pas një ndeshjeje të vështira si ajo e mesjavës kundër Zenitit, ku lodhja ka qenë e madhe. Dëmtimi i Bufon? Nesër do të kuptojmë më qartë kushtet e tij, por kemi besim se nuk është diçka e rëndë”, përfundoi Klaudio Ranieri.