19 shtator 2008

Del Piero: Rikthimi në Champions, emocionues

Kapiteni bardhezi vazhdon të lërë shenjën e tij në Evropë.Goli ndaj Zenitit ishte i 243-ti me fanellën e Juventusit.Një tjetër fitore e madhe dhe e merituar e Juventusit në Ligën e Kampioneve, përsëri nën shenjën e Alesandro Del Pieros. Vetëm një lojtar si ai mund të zhbllokonte një ndeshje, e cila dukej e destinuar të përfundonte me rrjeta të paprekura. Pavarësisht meritës së jashtëzakonshme personale, golin e tij, “Pinturikio” ia dedikon të gjithë skuadrës, si një arsye më shumë për të kërkuar suksese të tjera në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube. “Ndonëse Zeniti mund të ketë fituar më shumë tituj se ne gjatë këtyre dy viteve të fundit, shpirti i Juventusit mbetet gjithmonë ai i vjetri, fitues dhe dominues. E prisnin që ndërmjet nesh do të ishte një përballje shumë e vështirë, por gjithsesi treguam se jemi të denjë për të qenë pjesë e këtij kompeticioni, ndonëse shumë nuk besojnë në forcën e grupit tonë. Fitorja në ndeshjen e parë ishte shumë e rëndësishme për ne, mbi të gjitha për një arsye; do të rritë në mënyrën e duhur besimin në forcën e kësaj skuadre”, shprehet Aleks Del Piero. Nga fjalët e rekordmenit bardhezi dallohet qartë se ai beson në mundësinë e arritjes në finalen e Ligës së Kampioneve në Romë. “Pse duhet të përgënjeshtroj faktin se ëndërroj finalen e Romës. Por për të synuar një objektiv të tillë, duhet të qëndrojmë me ‘këmbë në tokë’. Goli? Të them të drejtën nuk e mendoja as unë se ai top mund të përfundonte në rrjetë. Thjesht mbylla sytë dhe godita me gjithë forcën e mundshme dhe fatmirësisht ajo gjuajtje do të rezultonte vendimtare për suksesin tonë. Shpresoj që emocione të tilla t’i përjetoj shpesh gjatë këtij sezoni”, përfundon Aleks Del Piero.