19 shtator 2008

Euro Del Piero, “shpirt” Juve!

Juventusi fiton dhe... falenderon Del Pieron, “njeriun gol” në momentet kur kërkohet forca e karakterit, eksperienca, grinta dhe vendosmëria. Kapiteni bardhezi firmos një sukses shumë të vuajtur ndaj Zenitit, në debutimin sezonal të “Zonjës” në fazën e grupeve në Champions. Një ndeshje kjo e konsideruar si “udhëkryqi” i grupit, duke parë se në këtë bën pjesë edhe Real Madridi. Natyrisht, djemtë e Ranierit nuk kanë shkëlqyer, por ka ditur që të tregojë potencialin e madhështisë pikërisht në një situatë të ndërlikuar, përballë një kundërshtari fizik dhe që ka vënë në vështirësi italianët. Eshtë dashur një magji e kampionit të botës për ta ndriçuar mbrëmjen e errët europiane, sepse një barazim brenda fushës do të kishte qenë një “pastë” e hidhur për t’u përtypur. Por, mbi të gjitha, është dashur edhe një SuperBufon, i cili më pritjet e tij ka ndaluar dy herë ekipin e Shën Pjetërburgut, në fillim me Sirl, që u prezantua i vetëm përballë gjigantit bardhezi, dhe më pas me Arshavinin, gjuajtja e të cilit është neutralizuar me këmbë nga Bufon. Por, mbi të gjitha edhe fati ka qenë me Juven, sepse gjuajtja e Danit, pas një aksioni spektakolar të rusëve, ka përfunduar ngjitur me shtyllën. Sigurisht, edhe për “Zonjën” nuk kanë munguar rastet, sidomos me shtyllën e goditur me kokë nga Kamoranezi, i detyruar t’i lërë vendin Salihamixhiçit. Timoshuk dhe Zirianov janë “motorrët” rus që përballen me grintën e Poulsenit dhe Sisokos, dy “bisha” te Juventusi. Por, është dëshira dhe shpirti i kapitenit Aleks ajo që dominon dhe zhbllokon rezultatin: një goditje dënimi e ekzekutuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga “Pinturikio”... dhe topi në rrjetën e portës së mbrojtur nga Malafev. Denisov rrezikon barazimin, por gjuajtja e tij del jashtë ngjitur me shtyllën. “Populli” bardhezi mund të marrë frymë lirisht..