22 shtator 2008

Juve-Inter, rikthehet dueli

Dueli ose siç është quajtur ndër vite derbi i Italisë ndërmjet Interit e Juventusit është rindezur përsëri pas dy vitesh. Bardhezinjtë e drejtuar nga Klaudio Ranieri dhe zikaltrit e Zhoze Murinjos janë dy skuadrat që nga pasditja e djeshme kanë marrë të vetme kryesimin e Serisë A me nga shtatë pikë, dy fitore dhe një barazim. Juventusi arrin një fitore të vuajtur në transfertën e Kaljarit, përsëri falë një goli të vetëm të shënuar nga braziliani Amauri, i cili ashtu si në sfidën e javës së kaluar ndaj Udinezes konfirmohet vendimtar. Po ashtu, edhe Interi ka triumfuar në transfertë ndaj Torinos së Xhani De Biazit me rezultatin 3-1, falë një autogoli të Pizanos, një eurogoli të mbrojtësit brazilian Maikon dhe liderit të këtij formacioni, suedezit Zlatan Ibrahimoviç. Përveç këtyre dy formacioneve, suksese të rëndësishme ka arritur edhe Fiorentina e trajnerit Çezare Prandelit, ku përsëri vendimtar për vjollcët ka qenë goli i vetëm i ish-sulmuesit të Milanit, Alberto Xhilardino. Po ashtu, edhe Palermo me dy fitoret radhazi të regjistruara në javën e kaluar kundër Romës dhe pasditen e djeshme kundër Xhenoas së Gasperinit me rezultatin 2-1 renditet menjëherë pas dy kryesueseve,Interit dhe Juventusit me gjashtë pikë. Ndërkohë, të gjitha sfidat e tjera të zhvilluara kanë përfunduar në barazim. Sampdoria ndalet në shtëpi në një barazim ndaj Kievos në shifrat 1-1. Françeskini kalon në avantazh skuadrën e Maxarrit në minutën e 49-të, ndërkohë që vetëm dy minuta më pas Lanxhela barazon shifrat. Leçe-Siena ka përfunduar me të njëjtin rezultat si më lartë, 1-1. Bardhezinjtë e Xhampaolos kalojnë të parët në avantazh me Fikanjan, por Kazerta, vendimtar edhe në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Kievos i dhuron një pikë shumë të vlefshme skuadrës së tij. Një sfidë interesante zhvillohej në “Friuli” të Udines, ndërmjet vendësve dhe Napolit të Edi Rejas, por në përfundim të 90 minutave, skuadrat kanë qenë të kënaqura me nga një pikë, në një ndeshje pa shumë emocione dhe me rrjeta të paprekura.