20 shtator 2008

Juventus në telashe: Trezege do të operohet

Klaudio Ranieri, por edhe e gjithë skuadra e Juventusit kanë marrë një lajm të keq: David Trezege duhet të operohet. Ndërhyrja kirurgjikale shihet si zgjidhja e vetme për problemet në tendinën e djathtë, që e kanë ngacmuar sulmuesin përgjatë gjithë këtij fillim-sezoni. Menjëherë pas ndeshjes së luajtur të mërkurën, në Ligën e Kampioneve me Zenitin, shqetësimi është bërë edhe më i madh. Vendimi për operacionin u mor pas konsultimit dhe vizitave më të fundit mjekësore, të cilave iu nënshtrua Trezege. Koha se kur do të realizohet ndërhyrja do të bëhet e ditur në fillim të javës së ardhshme, ndërkohë që dihet me siguri se lojtari do të qëndrojë minimalisht dy muaj jashtë fushave të lojës. Shqetësimi rritet edhe më shumë pas zërave se për rehabilitimin total mund të nevojiten tre ose katër muaj.Ndërkohë, lojtari pranoi se mund ta marrë në konsideratë rikthimin në përfaqësuesen franceze, vetëm në rast se trajneri Rajmond Domenek do të largohet. Që prej vitit 2004, kur Domenek mori drejtimin e skuadrës, Trezege nuk ka pasur një vend fiks me "gjelat". Ai luajti vetëm disa ndeshje në eliminatoret e Euro 2008, ndërkohë që trajneri nuk i "rezervoi" një vend për në fazën finale, të zhvilluar në Austri dhe Zvicër. Përpara sulmuesit bardhezi, u preferua talenti i St. Etien, Bafetimbi Gomis, që gjithsesi zhgënjeu me paraqitjet e tij. Trezege tha: "Nëse Rajmond Domenek do të largohet, do të flas me trajnerin e ri dhe të dëgjoj se çfarë planesh do të ketë".