23 shtator 2008

“Kam ende shumë për t’i dhënë kësaj fanelle”

Amauri, sulmuesi brazilian i bardhezinjve, është tashmë idhulli i të gjithë tifozëve. Skuadra e Juventusit përulet përpara goditjes spektakolare të këtij sezoni, përpara sulmuesit që shpëtoi dy ndeshje radhazi dhe që arriti t’i bëjë të gjithë ta harrojnë Trezegenë dhe mungesën e tij 4-mujore. “Më vjen shumë keq për Trezegenë, sepse e di mirë se ç’do të thotë të mos jesh në fushë për një kohë kaq të gjatë për faj të një dëmtimi ose një ndërhyrjeje kirurgjikale”, thotë Amauri. “David është goli vetë”, është shprehur para disa ditësh Ranieri, e meqë francezi mungon, është detyra e brazilianit të durojë gjithë këtë përgjegjësi. “Kjo gjë nuk më tremb aspak. Që kur jam bërë pjesë e kësaj skuadre, e kam ndjerë përgjegjësinë për ta përfaqësuar sa më denjësisht. E di mirë që duhet të jap shumë më tepër për këtë fanellë nga ç’kam dhënë gjer tani në gjithë karrierën time, për të shpërblyer besimin që klubi pati tek unë”. Dhe braziliani e ka mbajtur premtimin e dhënë, madje shumë më shpejt. Mjafton të kujtojmë dy golat radhazi në kampionat kundër Udinezes dhe Kaljarit. Dy fitore me të njëjtën recetë (1-0) e që mbajnë të njëjtën firmë, atë të ish- lojtarit të Palermos. Amauri ka treguar se është një lojtar deciziv për skuadrën bardhezi, pasi i ka dhuruar “Zonjës së Vjetër” 6 pikë, nga 7 që ka arritur të fitojë gjer tani. “Unë i detyrohem shumë Juventusit dhe e ndjej që nuk kam bërë ende asgjë të jashtëzakonshme. Nuk është vetëm merita ime që kam shënuar në portën e kundërshtarëve, sepse pas krahëve të mi është një skuadër e tërë që vrapon dhe sakrifikon shumë për të shënuar. Merita e pikëve të grumbulluara është e të gjithëve”. Megjithatë nuk duhet të lëmë pa përmendur Iakuintën, i cili si në ndeshjen me Udinezen, edhe atë me Kaljarin e ka ndihmuar shumë. “Ne punojmë shumë mirë bashkë, atij i mungon vetëm goli, të cilin ia uroj me gjithë zemër. Madje të shënojë që gjatë ndeshjes së të mërkurës, kështu do të mund ta shohim më të qetë gjatë sfidave në vazhdim”. Sigurisht, po ta lëmë modestinë mënjanë, i gjithë suksesi i Juventusit është meritë e Amaurit, sepse falë lojës së tij mjaft të mirë ka zgjidhur një situatë më të komplikuar seç parashikohej. “Është e vërtetë që fitorja kundër Kaljarit nuk ishte aspak e lehtë. Megjithatë, në fund të fundit, ajo që ka rëndësi janë tri pikët e fituara. Gjithsesi ndeshje të thjeshta nuk do të ketë pasi të gjitha skuadrat janë përmirësuar shumë”, përfundon sulmuesi brazilian i Juventusit.