24 shtator 2008

LAJME SHKURT


Ancelotti do të nxjerrë në fushë treshen Ka-Pa-She
Menaxheri i Milanit, Carlo Ancelotti, në ndeshjen e sotme kundër Regginas, pritet të nxjerrën në fushë treshen ofensive të përbërë nga Kaka, Pato dhe Andriy Shevchenko.Në fillim të këtij viti, Milani luajti ndeshjen përballë Napolit me treshen Kaka, Pato dhe Ronaldo, të cilët që në ndeshjen e parë së bashku, shkëlqyen duke fituar me rezultat 5-2.Me Ronaldon e larguar, Shevchenko është i gatshëm ta zëvendësojë atë, ndërsa Ancelotti pritet ta provojë funksionimin e treshes së re në ndeshjen e sotme përballë Regginas.Marco Borriello dhe Shevchenko, që të dy luftojnë për vend në ekip, por sipas raporteve të fundit, ukrainasi, i cili nuk ishte pjesë e fitores 4-1 ndaj Lazios, do të fitojë vend në formacionin e parë.Në mesfushë, do të rikthehet Mathieu Flamini, i cili pritet të luajë krahas Clarence Seedorf dhe Rino Gattusos. Massimo Ambrosini do të pushohet, si edhe mbrojtësi legjendar Paolo Maldini, derisa mbrojtja e qendrës do të sundohet Kakhaver Kaladze dhe Daniele Bonera.
**********************************************

Flamini: Do të bëjmë gjithçka të fitojmë ndaj Interit
Mesfushori francez, Mathieu Flamini thotë se Milani nuk ka qenë në krizë dhe se beson në kualitetet e ekipit të tij, dhe shpreson të shënojë fitore kundër Regginas dhe Interit.Milani kishte një start të dobët në Serie A, por fytyrën e vërtetë rosonerët e kanë treguar në ndeshjen kundër Lazios në të cilën shënuan fitore bindëse prej 4-1. “Kuptohet, kur luani me një ekip të shkëlqyeshëm si Milani, pritet që të fitoni në vazhdimësi, andaj duhet të shohim pozitivisht duke shikuar që nga ndeshja e sotme”, ka thënë Flamini. Milani sonte do të ndeshet me Regginën, ndërsa të dielën do të ndeshet me rivalin e qytetit, Interin, në derbin e madh të Serie A. “Derbi është mjaft i rëndësishëm. Do të bëjmë gjithçka ta fitojmë, siç do të bëjmë edhe në ndeshjen e sotme kundër Regginas”, shton Flamini.
**************************************************

Ramos: Kundër Newcastlet na duhet vetëm fitorja
Menaxheri i Tottenhamit, Juande Ramos, shpreson se ndeshja e sotme kundër Newcastle, në kuadër të Carling Kupës, do të jetë momenti kthyes i ekipit të tij dhe gjërat përfundimisht do të shkojnë në drejtimin e duhur.“Një pjesë e lojtarëve që erdhën në fund të afatit kalimtar, kanë nevojë për kohë për t’u adaptuar. Ata do ta kenë atë, por kur do të luajnë dhe nuk do të shkojë mirë duhet të ndryshojmë diçka, ta fitojmë lojën në një mënyrë tjetër”, ka thënë Ramos.“Ata e dinë se ky është një fillim i vështirë, por kjo është normale për një situatë të tillë. Kemi shumë ndryshime dhe është e pamundur për kaq pak kohë ekipi të funksionojë në mënyrë perfekte”, ka shtuar spanjolli.“Këtë ndeshje kundër Newcastle duhet ta fitojmë jo vetëm sepse e dëshirojmë trofeun e Kupës, por sepse kemi nevojë për një fitore për ta ngritur vetëbesimin para ndeshjeve të Premierligës”, ka përfunduar Juande Ramos.
************************************************

Pennant mezi pret të aktivizohet
Lojtari i Liverpoolit, Jermaine Pennant, shpreson se paraqitja e tij të mirë kundër Crew në ndeshjen e djeshme të Kupës së Anglisë, do ta nxisë Benitezin të mendojë më shumë rreth minutazhit që ai duhet të ketë. Pennant ishte përmendur si një prej lojtarëve i cili do të largohet nga Anfield gjatë afatit kalimtar veror, por megjithatë ai mbeti në radhët e Liverpoolit. “Nëse fiton shans duhet ta shfrytëzosh dhe ekipet kur vijnë në Anfield dhe luajnë në ndeshjet për Kupë, luajnë sikur të jetë finale. Kemi shumë kualitet në përbërje dhe për atë është vështirë të gjendet hapësirë në ekip, por unë do të vazhdoj të punoj me ngulm dhe do të shoh çfarë do të ndodhë”, ka thënë Pennant.
***********************************************

Eto: Jam i lumtur në Barcelona
Sulmuesi i Barcelonës, Samuel Eto’o, është shprehur i kënaqur me punën e trajnerit të ri të Barcelonës, Josep Guardiola, edhe pse gjatë afatit kalimtar veror, kamerunasi nuk ishte pjesë e planeve të klubit katalanas.“Jam shumë i lumtur me trajnerin dhe ekipin. Pas dy vitesh pa sukses, kemi shumë motiv të fitojmë diçka këtë sezon. Trajneri është i paguar ta bëjë punën e tij dhe këtë e bën për të mirën e Barcelonës dhe ka të drejtë ta bëj këtë që ai mendon se është më e mira”, ka thënë Eto’o.“Jam profesionist dhe e kuptoj këtë. Pa dallim që jam personalitet i cili nuk frikohet ta thotë atë që e mendon, t’ua thotë në mënyrë direkte. Por, unë jam i kënaqur me të, tash jemi të bashkuar. Që nga dita e parë kur filluam me punë, unë tregova motiv të madh dhe nuk kisha problem”, ka përfunduar kamerunasi.
*****************************************

Delio Rosi: Jemi në një formë të mirë
Trajneri i Lazios, Delio Rosi, ka thënë para ndeshjes së sotme me Fiorentinën se pret një rikthim të shpejtë të ekipit të tij drejt fitoreve, pas humbjes së thellë prej 4-1 në udhëtimin tek Milani.“Jemi në formë të mirë dhe Milani thjesht i shfrytëzoi gabimet tona. Nëse do të fitonim penalti në faullin ndaj Stefano Maurit, do të ishte 2-2 dhe ndoshta kjo do të ndryshonte diçka”, ka thënë Delio Rossi.“Është pozitive që reaguam shumë shpejt, dhe nuk u dukëm si viktimë. Andaj shpresoj se do të mund ta ruajmë të njëjtin vullnet si në San Siro. Fiorentina është përforcuar shumë gjatë afatit kalimtar veror. Ata tashmë kanë një ekip të qëndrueshëm dhe i kanë shtuar edhe disa futbollistë të shkëlqyeshëm”, shton trajneri i Lazios.
******************************************