28 shtator 2008

LAJMET NEWS 27/28.09.2008


Barca fiton derbin e qytetit
Blaugranët kanë shënuar fitore ndaj skuadrës së dytë nga qyteti i Barcelonës, Espanyol, me një gol të shënuar në fund të ndeshjes nga penalltia.Pavarësisht se Barcelona ishte skuadër më e mirë në fushë, Espanyol krijoi avantazhin në minutën 20’ me anë të Coro, pas një rrëmuje para portës së Victor Valdes, i cili edhe është fauluar, mirëpo gjyqtari nuk vendosi ashtu. Djemtë e Gardiolas vazhdonin me performancën e mirë, mirëpo goli mungoi deri në 15 minutat e fundit të ndeshjes. Fillimisht, në fund të pjesë së parë u largua nga loja Nene, pas kartonit të dytë të verdhe për t’ua bërë më të lehtë mysafirëve ndeshjen, megjithatë fati ishte në anën e nikoqirëve. Ishte minuta e 76 kur sulmuesi francez Thierry Henry e shndërroi në gol një gabim të portierit Kameni duke barazuar shifrat në 1-1. Është dashur të pritet deri në minutat shtesë të ndeshjes që Barcelona t’i rrëmbejë të tre pikët nga ky takim shumë i vështirë. Leo Messi e shndërroi në gol një penallti të fituar nga Samuel Eto’o (90’+6’) për t’ia dhënë Barcelonës një fitore të artë në këtë derbi jashtëzakonisht të bukur.
******************************

Sërish Gilardino
Fiorentina ka shënuar fitore minimale kundër Genoas në Artemio Franchi për ta rikuperuar humbjen prej 3-0 në mesjavë nga Lazio.Prandelli luajti me formacionin 4-3-3, duke inkuadruar në sulm Adrian Mutu, Alberto Gilardino dhe Franco Semioli. Kundërshtarët nga Genoa sulmonin me Raffaele Palladinon, Ruben Oliveran dhe Marco Rossin, derisa sulmuesi i rikthyer i Genoas, Diego Milito, befasisht e filloi ndeshjen nga stoli. Ishte sulmuesi i transferuar nga Milani, Alberto Gilardino, ai i cili siguroi fitoren e Violas në minutën 61 duke shënuar golin e vetëm në ndeshje dhe të pestin personal në të gjitha garat në këtë fillim sezoni.
***********************************

Nistelrooy shpëton Realin në minutën e fundit
Real Madrid me dhjetë lojtarë në fushë arriti të shënojë fitore me rezultat 2-1 në udhëtim tek Betis, falë golit të vonshëm shënuar nga Ruud van Nistelrooy.Los Merengues, që kërkonin fitoren e katërt në radhë në La Liga, kaluan në epërsi me golin e Gabriel Heinze (19’), por vendasit barazuan në pjesën e dytë me anë të Sergio García (54’). Golashënuesi i Betisit u përjashtua nga loja dhjetë minuta para fundit të kohës së rregullt, ndërsa që nga minuta e 52-të edhe Reali luajti me 10 lojtar pas përjashtimit të Marsielos. Kur kishte nevojë më së shumti, aty u gjend Ruud van Nistelrooy, i cili shënoi golin e fitores në minutat shtesë të ndeshjes, pas një asistimi nga Robben.
**********************************

Hull City befason Arsenalin
Arsenali ka rënë nga kryesimi i Premerligës, pasi që Hull City erdhi nga disavantazhi prej 1-0 për të shënuar fitore senzacionale me rezultat 2-1 në Emirates Stadium.Një autogol i shënuar nga Paul McShane, pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, solli avantazhin për topçinjtë, por Geovanni barazoi 12 minuta më pas, para se Daniel Cousin t’u japë avantazhin mysafirëve, në minutën e 66-të, që doli të ishte edhe goli i fitores. Kjo është humbja e dytë e ekipit të drejtuar nga Arsene Wenger në Premierligë, i cili të dielën mbush 12 vite si trajner i Arsenalit. Humbja e parë e topçinjve ishte në udhëtim tek Fulham. Humbja e zbret Arsenalin në vendin e katërt me 12 pikë, dy pikë prapa kryesuesve, Chelseat dhe Liverpoolit, dhe një pikë prapa Aston Villas.
************************************

Bosingwa në formë në fitoren e Chelseat
Mbrojtësi i djathë portugez, Jose Bosingwa, ishte në formë të mirë në fitoren prej 2-0 të Chelseat si mysafir i Stoke Cityt, duke shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër, për të çuar blutë në krye të tabelës së Premierligës, së paku deri në përfundim të ndeshjes mes Arsenalit dhe Hull Cityt.Goli i portugezit erdhi pas 36 minutash lojë, ndërsa u ndoq edhe një gol tjetër nga zëvendësuesi Nicolas Anelka, 14 minuta para fundit të ndeshjes, derisa blutë vazhdojnë 100% me fitore në ndeshjet në udhëtim, nën urdhrat e trajnerit të ri Luiz Felipe Scolarit. Nga ndeshjet tjera, fitore ka shënuar edhe ekipi i Valon Behramit, West Ham, që mposhti si mysafir ekipin e Fulhamit, me rezultat 2-1. Me të njëjtin rezultat dhe po ashtu në udhëtim, fitore ka shënuar edhe Blackburn në St James Park, ku Newcastle thellohet në krizë, duke dështuar kësaj here para tifozëve të vet. Aston Villa ka arritur të rikthejë rezultatin nga 1-0 në 2-1, në ndeshjen ndaj Sunderlandit të zhvilluar në Villa Park.
**************************************

Hamburgu shënon fitore minimale dhe merr kryesimin
Hamburg ka shënuar fitore minimale 1-0 ndaj Borussia Moenchengladbach, për tu ngritur në krye të tabelës së Bundesligës, pas humbjes së Schalke 04 gjatë të premtes në fushë të Kolnit.Golin e vetëm për vendasit e shënoi sulmuesi kroat Mladen Petric pas 11 minutash lojë. Schalke ka pësuar me të njëjtin rezultat, 1-0, në fushë të Kolnit, gol të cilin e shënoi Youssef Mohamad. Kjo ishte fitorja e parë e vendasve ndaj Schalkes, në 15 vitet e fundit. Një ndeshje ‘e çmendur’ është zhvilluar në mes të Werder Bremenit dhe Hoffenhaim, gjatë të cilës mesfushori Mesut Oezil shënoi golin e fitores për vendasit, përplasje që solli plot nëntë gola, 5-4. Pasi që kishte deklasuar Bayernin një javë më parë, Werder vazhdoi aty ku mbeti duke kryesuar 4-2 në pjesë të parë. Por vendasit pësuan dy gola në pjesë të dytë (4-4), për të arritur golin e fitore vetëm nëntë minuta para fundit të kohës së rregullt (81’). Bayer Leverkusen ngjitet në vendin e dytë në tabelë falë fitores 3-2 ndaj Bochum. Vendasit ishin në disavantazh 3-0, por arritën të ngushtojnë disavantazhin në dhjetë minutat e fundit.
*****************************************

Klinsmann dështon sërish
Bayern Munich vazhdon me rezultate negative nën drejtimin e trajnerit të ri, Jurgen Klinsmann, duke zbritur në pozitën e nëntë në tabelën e Bundesligës, pas humbjes së pësuar ndaj ekipit të Altin Lalës, Hannoverit.Pas turpërimit prej 5-2 para publikut të vet në ndeshjen ndaj Werder Bremenit, të zhvilluar në javën e kaluar, kampioni në fuqi ishte mjaft i dobët sërish, derisa portieri Michael Rensing reagoi dobët ndaj goditjes së lirë të mesfushorit të Hannoverit, Szabolcs Huszti, që përfundoi në rrjetë në minutën e 23-të. Mesfushori Franck Ribery u fut në lojë nga stoli në pjesë të dytë, por dështoi të bëjë “magjinë” e tij, derisa Bayerni pëson edhe një goditje para ndeshjes së rëndësishme të Ligës së Kampionëve përballë Lyonit, që zhvillohet të martën.
***************************************

Manchester United shënon fitore ndaj Boltonit
Kampioni i Anglisë, Manchester United, ka shënuar fitore prej 2-0 në Old Trafford ndaj Boltonit, përfshirë këtu edhe një penalti të dyshimtë për djajtë e kuq.Arbitri Rob Styles referoi penalti, pavarësisht ndalimit në mënyrë të drejtë të Ronaldos nga JLloyd Samuel. Portugezi solli avantazhin për djajtë e kuq duke mos huqur nga pika e bardhë (60’). Alex Ferguson mbajti fjalën dhe e la Rooneyn në stol, por i njëjti lojtar i futur si zëvendësues i Tevez në minutën e 71-të, shënoi golin e dytë për Manchesterin pas gjashtë minutash, duke vulosur rezultatin (77’). Portieri i Boltonit, Jaaskelainen, po ashtu mohoi edhe disa tentime nga Ronaldo, Anderson dhe Rio Ferdinand.
********************************************

Dy gola të Torres në fitoren Liverpoolit
Pas gjashtë ndeshjeve pa shënuar, Fernando Torres është rikthyer në mënyrën më të mirë, duke shënuar dy gola brenda tre minutash, gjatë fitores së Liverpoolit në derbin e Premierligës ndaj Evertonit të zhvilluar në Goodison Park.Sulmuesi spanjoll theu rezultatin pas po thuajse 1 ore lojë, në minutën e 59-të, për të shënuar edhe golin e dytë pas tre minutash tjera.“Gjashtë ndeshje janë shumë kohë për një sulmues të Liverpoolit. Tash dua të vazhdoj të shënoj edhe në Ligën e Kampionëve, të shënoj po thuajse në secilën ndeshje, si në sezonin e kaluar, dhe mbase të arrij në 33 gola”, ka thënë Torres pas ndeshjes. Evertoni në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes luajti me 10 lojtarë, pas përjashtimit të Tim Cahill.
******************************************

Adriano: Tash jam 100% profesionist
Sulmuesi i Interit, Adriano, pranon se në të kaluarën ka bërë shumë gabime, por thotë se tash kjo është e kaluar dhe ai sërish është 100% profesional.“Jam në rrugë të duhur për t’u kthyer në formë të mirë. Lëndimi para një muaji më ndaloi në përgatitjet dhe tash jam pak prapa. Por, sido që të jetë, ndjehem shkëlqyeshëm”, ka thënë braziliani. “Lëshim i stërvitjeve, alkool, disko deri në orët e vona... Të gjitha këto janë gjëra të gabueshme, së paku për një që dëshiron të jetë profesionist si unë dhe të ketë jetë të shëndetshme. Por tash betohem, nuk bëj më të tilla gjëra. Nuk më sjellin kënaqësi. Tash jam 100% profesionist”, ka shtuar Adriano.
******************************************

Kaka: Do ta fitojmë derbin
Ylli i Milanit, Kaka, ka deklaruar se është i sigurt në fitoren e ekipit të tij kundër rivalit të qytetit, Interit, në kuadër të javës së pestë në Serie A, ndeshje që do të zhvillohet nesër në mbrëmje.Rosonerët do të takohen me nerazurët të cilët janë lider të tabelës në Serie A. Mesfushori brazilian llogarit se milanistat do të jenë më të motivuar të luajnë lojë më kualitative dhe të nxjerrin trepikësh. “Kjo është një derbi i ndryshëm nga çdo ndeshje tjetër. Kemi tri fitore së fundi dhe nëse fitojmë kundër Interit, kjo do të jetë e shkëlqyeshme”, ka thënë Kaka për Gazzetta Dello Sport. “Nëse tregojmë të njëjtin motivim si në ndeshjen përballë Regginas, nuk do të kemi probleme”, shton braziliani.
***************************************

Iniesta: Barcelona kishte nevojë për “remont”
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, pranon se klubi ka nevojë për remont, pas dy sezoneve pa trofe.Katalanasit këtë verë kanë bërë ndryshime të mëdha në përbërjen e tyre, duke filluar që nga trajneri, zëvendësimi i Rijkaard me Guardiolan, deri tek largimi i yjeve si Ronaldinho dhe Deco, ndërsa Iniesta thotë se vendimi për “remont” ka qenë i drejtë. “Dy sezonet e kaluara nuk ishin të mira për ne, kur janë në pyetje rezultatet. Ndoshta ishim së bashku shumë kohë dhe kënaqeshim me lojën tonë së tepërmi. Por, gjërat tash ndryshuan”, thotë Iniesta. “Kemi trajner të ri, i cili ka një stil të vetin. Tash mbetet që lojtarët t’i adaptohen kësaj loje. Nëse i ndjekim instruksionet e trajnerit, punët sërish do të funksionojnë mirë për ne”, shton spanjolli.
******************************************

Robinho: Qëllimi im është të arrij 15 gola
Përforcimi rekord i Manchester Cityt, Robinho, ka dërguar një paralajmërim tek mbrojtësit kundërshtarë duke thënë se forma e tij e mirë tek tash pritet të vijë.“Për disa ndeshje tifozët e Anglisë do ta shohin Robinhon e vërtetë. Tashmë kam parë se në City atmosfera në zhveshtore është shumë më e mirë se sa në Real Madrid. Dua që këtë sezon të luaj më së miri që mundem, dhe të përpiqemi të luajmë në Ligën e Kampionëve sa më shpejtë që është e mundur. E di që do të jetë vështirë, por duhet të kemi ambicie”, ka thënë Robinho.“Dua të arrij sa më shumë gola që është e mundur dhe të tregoj se çdo funte e harxhuar për mua ia ka vlejtur. Së pari i kam vënë qëllim vetes 15 gola, pastaj do të shohim”, ka përfunduar braziliani.
**********************************************