26 shtator 2008

Mafia pas marrëveshjes për Amaurin

Në marrëveshjen ku u realizua transferimi i Amaurit nga Palermo te Juventusi është përfshirë edhe mafia. Ky është lajmi i publikuar në të përditshmen italiane "La Sicilia". Sulmuesi italo-brazilian kaloi te "Zonja e Vjetër" në verë për 24.8 milionë euro e sipas gazetës, edhe mafia siciliane ka pasur një rol aktiv në akord. Kjo akuzë erdhi vetëm 24 orë pas deklaratave të presidentit të Palermos, Mauricio Zamparini, sipas të cilit klubi i tij është i pastër dhe nuk ka pasur të bëjë me asnjë organizatë kriminale. Titulli i madh i "La Sicilia"-s ishte "Mafia dhe marrëveshje për Amaurin" dhe në shkrim pretendohej se ish- drejtori sportiv, Rino Foski, ka pasur një debat të ashpër me presidentin Zamparini, pasi nuk dëshironte që lojtari të shitej. Foski ka folur rreth kësaj polemike edhe me ish-menaxherin Xhovani Pekoraro, që është arrestuar pas lidhjeve me mafien.