24 shtator 2008

Ranieri: Herët, për të menduar titullin

Klaudio Ranieri mendon për sfidën e Katanias, ndonëse fillimisht shfaq gjithë gëzimin e tij për operacionin e suksesshëm të kryer nga DAVID TREZEGUE: “Më kanë lajmëruar se operacioni, të cilit i është nënshtruar David ka përfunduar me sukses dhe të gjithë ne jemi të lumtur për këtë. E presim sa më shpejt lojtarin në skuadër, pasi sigurisht që Trezege është një ndër shtyllat kryesore të Juventusit”, thekson tekniku i bardhezinjve. Ndërkohë, përsa i përket ndeshjes me skuadrën e drejtuar nga Valter Zenga, Ranieri paralajmëron për kujdes lojtarët e tij: “Ndeshja ndaj Katanias do të jetë një përballje e vështirë. Këtë sezon kuqeblutë e kanë nisur mjaft mirë. Të mos harrojmë vështirësitë që i krijuan Interit në “San Siro”, por po ashtu edhe sfidat ndërmjet nesh në sezonin e kaluar. Një fitore tjetër do të konfirmonte forcën tonë, por të mos harrojmë gjithashtu se, pas katër ditësh na pret një tjetër përballje e vështirë në transfertën e Sampdorias. Lufta për titull? Ky sezon do të jetë shumë i luftuar për të gjitha skuadrat e Serisë A. Interi vazhdon të mbetet formacioni për t’u mundur, ndonëse nuk duhet lënë pa përmendur forcën e Milanit, Fiorentinës, por gjithashtu edhe Romës, e cila duket se tashmë e ka lënë prapa krizën e rezultateve të këtij fillimsezoni”, përfundon trajneri i stolit juventin, Klaudio Ranieri.