25 shtator 2008

Ranieri: Vazhdojmë të shpërdorojmë shumë raste

Klaudio Ranieri është tepër i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij në sfidën kundër Katanias, ku edhe njëherë tjetër problemi kryesor për bardhezinjtë mbetet shpërdorimi i rasteve të shumta për shënim. “Nuk kemi zhvilluar absolutisht një ndeshje të mirë, shumë larg asaj çfarë bëmë ndaj Udinezes, që ishte dhe ndeshja jonë perfekte. Vazhdojmë të mos jemi konkretë përpara portës dhe nëse në Kaljari nuk e paguam një gjë të tillë, Katania ishte më e saktë dhe përfitoi. Tashmë është e kotë të ankohemi, por duhet vetëm të rregullojmë këtë defekt. Aktualisht Amauri është i vetmi që nuk fal përballë portierit, por i vetëm dhe pa ndihmën e shokëve të tij të sulmit bëhet mjaft e vështirë të kërkosh rezultate pozitive. Shpresojmë që ndaj Sampdorias, gjërat të ndryshojnë pozitivisht për ne”, përfundon - Ranieri.