28 shtator 2008

Samp-Juve në paqe, fitojnë mbrojtjet!

Bardhezinjtë marrin një barazim pa gola në Gjenovë. Ndërkohë Ranieri mbyll polemikat me Mourinhon.Një barazim që edhe mund ta kënaqë Juventusin. Sepse u arrit jashtë fushe dhe kundër një Sampdorieje të shkëlqyer, e vendosur mirë në fushë nga Wallter Mazarri, pavarësisht nga mungesat e shumta. Por ajo mbi të cilën duhet të punojë kolegu i tij Ranieri ama, është “steriliteti” i pabesueshëm sulmues i bardhezinjve. Katër gola në pesë javë, që gjithsesi kanë sjellë 9 pikë të arta në renditje. Barazimi 0-0 në “Marasi”, ndeshja e parë e javës së 5-të, nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon këtë prirje shqetësuese për Juven. Në të vërtetë pa Trezeguet, Del Piero dhe Amauri nuk janë shërbyer mirë nga një mesfushë pa ide dhe cilësi, të cilët kanë bërë pak përballë mbrojtjes së kujdesshme blukaltër. Nëse përjashtohet një shtyllë e goditur nga Del Piero gjatë pjesës së parë, porta e Mirantes nuk pësoi praktikisht ndonjë rrezik të madh. I njëjti diskutim mund të thuhet edhe për Manningerin, me austriakun që nuk pati shumë punë. Ja pra, që barazimi pa gola, është shndërruar në një epilog të dukshëm të një ndeshjeje të mërzitshme. Ranieri e Mazzarri duhet të kënaqen. RANIERI - Ky është barazimi i dytë radhazi në kampionat për bardhezinjtë. Ndërkohë që, Claudio Ranieri ka deklaruar: “I kënaqur? U përpoqëm, luajtëm hapur, por Sampi luajti mirë. Të dyja skuadrat u përpoqën të fitojnë, por u panë dy mbrojtje të shkëlqyera. Sampi i mbylli të gjitha hapësirat, kishte superioritet numerik në këtë repart, ishte e vendosur mirë, duke mos na lejuar të kundërsulmojmë, me përjashtim të një shtylle të Del Pieros. Ankth? Jo. Në këto momente nuk mendojmë për renditjen, nuk kishte ankth, por vetëm dëshirë për fitore: nuk ia arritëm, durim.” TREZEGUET - Mbi mungesën e qendërsulmuesit francez, trajneri bardhezi nënvizoi: “Është një golashënues i lindur dhe mungesa e tij ndihet, por Juvja ka sulmues të tjerë shumë të zotë. E urojmë Davidin të shërohet sa më shpejt për vitin që vjen, por duhet të fitojmë në këto momente”.MOURINHO - Pastaj, Ranieri komenton fjalët e Mourinhos në prag të derbit të sotëm ndaj Milanit: “Shpesh e keqkuptoni Josenë, ndërkohë që thashë që jam dakord me të, sepse është e vështirë të qëndrosh para kamerave edhe një orë më shumë pas një ndeshjeje, por unë, për respekt të publikut e tifozëve shkoj në konferencë shtypi. Edhe në Angli shkoja, edhe pse nuk dija anglisht.” Pastaj shton me ironi: “Në moshën 70-vjeçare duhet të lodhesh për të mësuar spanjishten ose anglishten. Secili ka kohën e tij… Mourinho reagoi ndaj deklaratave të mia, por unë nuk e kritikoja, nuk doja të bëja polemikë, tani duhet ta mbyllim këtë histori. E përsëris, është e vështirë pas një ndeshjeje të shkosh në televizione të ndryshme dhe t’u përgjigjesh të njëjtave pyetje, por duhet shkuar, është pjesë e lojës. Thashë vetëm atë që mendova, duke iu referuar vetes sime, pa e prekur Mourinhon.”