18 shtator 2008

Zeniti i dorëzohet Del Pieros

Kapiteni bardhezi dërgon në rrjetë një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë perfekte. “Zonja e Vjetër” rikthehet me një fitore të rëndësishme në Champions pas dy vitesh mungesë.Ndonëse kanë kaluar saktësisht dy vjet nga pjesëmarrja e fundit në Ligën e Kampioneve e Juventusit, ky kompeticion rigjen edhe një herë nën drejtimin e bardhezinjve, Alesandro Del Pieron. Një goditje dënimi e ekzekutuar në mënyrë perfekte i ka mjaftuar një Juventusi jo shumë bindës për të regjistruar fitoren e parë evropiane pas një periudhe të gjatë mungesë. Kampionët e Kupës UEFA dhe Superkupës Evropiane vënë në vështirësi gjatë 30 minutave të para të lojës bardhezinjtë, falë edhe përgatitjes më të mirë fizike të rusëve. Gjithsesi, djemtë e Klaudio Ranierit rezistojnë me forcë deri në përfundim të pjesës së parë, gjatë së cilës humbasin edhe Mauro Xherman Kamoranezin si rrjedhojë e një dëmtimi të lehtë në kofshën e djathtë (në vend të tij Salihamixhiç). Pjesa e dytë fillon disi më e shpejtë, mbi të gjitha për bardhezinjtë, të cilët fillojnë e shtojnë presingun e tyre në zonën e rreptësisë së rusëve. Në minutën e 20-të të kësaj pjese, Juventusi godet shtyllën e portës së mbrojtur nga portieri Malafev, ndërkohë që 15 minuta më vonë, gjyqtari De Blekere do të akordojë një goditje dënimi në favor të juventinëve në një distancë prej 30 metrash, e cila do të ekzekutohej në mënyrë mjeshtërore nga kapiteni Aleks Del Piero, duke përfunduar në rrjetë, në bashkëpunim edhe me pozicionimin e gabuar të portierit të Zenitit. Ndonëse me një rezultat të ngushtë, bardhezinjtë rikthehen në arenën evropiane me një fitore të rëndësishme.

38 GOLA

Falë golit të shënuar në mbrëmjen e djeshme, kapiteni i Juventusit, Alesandro Del Piero, e ka çuar në 38 numrin e golave të tij në kompeticionin e Ligës së Kampioneve.