31 tetor 2008

Amauri: Totti është një lojtar për ta shikuar

Sulmuesi i Juventusirt Amauri ka folur për admirimin e tij që ka ndaj simbolit të Romës, Francesco Totti, ndërkohë që ka nënvizuar se dëshiron fitore kundër Giallorosëve të shtunën mbrëma.
Zonja e Vjetër dhe Ujkonja Romake do të ndeshen të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos, ndërsa sulmuesi i sapoardhur te Bianconerët ka folur për situatën aktuale të të dy skuadrave, ndërkohë ka thënë se ai e çmon shumë kapitenin Francesco Totti. “Totti është njëri nga futbollistët italianë që më pëlqen ta shikoj kur luan. Ai luan ashtu siç unë ëndërroj të luaj dhe më pëlqen ta shikoj”, ka thënë ish-sulmuesi i Palermos. Ndërkohë Amauri ka theksuar se bardhezinjtë duhet të fitojnë me çdo kusht për të treguar se kriza ka marrë fund, pasi që ata tashmë vijnë nga tre fitore radhazi (kundër Real Madridit, Torinos dhe Bolognas), ndërsa një fitore kundër Romës do të ishte suksesi më i madh i këtij fillimsezoni.