30 tetor 2008

Shpallen kandidatët për “FIFA World Player”

Federata e Futbollit Botëror ka bërë të ditur listën prej 23 futbollistësh, mes të cilëve më 12 janar 2009 në Zyrih do të zgjidhet fituesi i trofeut “FIFA World Player”, që ka mbërritur në edicionin e 18-të. Pjesën e “luanit” e luan Spanja, me plot 6 kandidatë. Ndërkohë që numërohen edhe tre anglezë, dy argjentinas dhe dy portugezë. Bie në sy që ka fare pak italianë në listën e kandidatëve: vetëm Xhixhi Bufon, ndërkohë që vitin e kaluar italianët ishin plot 5. As kampionati italian s’mund të ngushëllojë dashamirësit e futbollit të përtej Adriatikut, pasi dy lojtarët e vetëm që aktivizohen në kampionatin italian janë Zlatan Ibrahimoviç e Rikardo Kaka, i cili ishte fitues i çmimit gjatë vitit të kaluar. Pikërisht, përsa i takon kampionateve, vendin e parë e mban Premier Ligë me 10 përfaqësues. Ndërsa, Liga spanjolle numëron 8 lojtarë, teksa vetëm një përfaqësues ka nga Bundesliga gjermane. Të 23 emrat, që janë zgjedhur nga një komision, do t’u parashtrohen kapitenëve dhe trajnerëve të skuadrave përfaqësuese, të cilëve do t’i takojë zgjedhja e fituesit. FIFA do të bëjë të ditur në dhjetor emrat e tre më të votuarve, që do të shpërblehen me çmim më 12 janar në Zyrih. Kristiano Ronaldo, Fernando Torres, Leo Mesi e Iker Kasijas shihen si favoritët kryesorë të kësaj gare.