30 tetor 2008

Xherrard mban Liverpulin përpara

Përgatiti: Ylli GorkaVetëm një penallti e akorduar kur du-hej çerek ore nga fundi i ndeshjes i ka lejuar Liverpulit të vazhdojë të ruajë kryesimin e kampionatit anglez. Skuadra e Benitez ka mposhtur Portsmuthin dhe ka mbajtur distancën prej tri pikësh me ndjekësit më të afërt. Në vend të dytë vazhdon të qëndrojë Çelsi, që pas humbjes së të dielës kundër të kuqve, ka ditur të reagojë me forcë, përmes një suksesi bindës përballë Hull Sitit. Fitimtar edhe Mançester Junaited, që ka asgjësuar Uest Hemin, falë një dygolëshi të Kristiano Ronaldos. Ndërsa Aston Vila ka kërcyer në katërshen e më të mirëve, duke realizuar një përmbysje kundër Blekbërn Rovers. Totenhem Hotspur ka vazhduar ringjalljen nën drejtimin e Herri Redknap, duke fiksuar një barazim të pabesueshëm 4-4, pasi deri dy minuta nga fundi gjendej në disavantazh prej dy golash në derbin emocionues përballë Arsenalit. “Spursat”, që mbajnë ende fundin e renditjes, kaluan në avantazh me një gjuajtje të Bentlit. Por “topçinjtë” ia kanë dalë të shënojnë plot tre herë me Silvestre, Galas e Adebajor. Bent shkurtoi sërish diferencën, megjithatë Van Persi u duk sikur ia preu shpresat Totenhemit, që gjithsesi doli të shënojë dy herë brenda dy minutash në limit të ndeshjes me Bentlin e Lenon. “Ishte me të vërtetë e mahnitshme”, ka komentuar Redknap në dhomat e zhveshjes. “S’kam si të mos jem i nervozuar për atë që ndodhi”, ka deklaruar trajneri i Arsenalit, Venger. Tashmë, Liverpuli ka 26 pikë pas 10 ndeshjesh, tre më shumë se Çelsi. Më tej vijnë Arsenal, Vila e Hull me nga 20 pikë, ndërsa Mançester Junaited është i gjashti me 18.