27 nëntor 2008

130 milionë euro për Kaka e Bufon

Mançester Siti përgatit ofertën për dy yjet në merkaton e janarit
Me merkaton e janarit që po afron, thuajse të gjitha klubet po përgatiten të plotësojnë kontingjentin. Situata ndryshon te Mançester Siti, drejtuesit e të cilit janë gati të "hapin thesin". Milionat e sheikëve arabë mund të bëjnë që portieri i Juventusit, Xhanluixhi Bufon, dhe braziliani i Milanit, Kaka, t‘i thonë "lamtumirë" Serisë A. Sipas mediave angleze, Siti po përgatit superofertën prej 130 milionë eurosh për dy lojtarët. Emri i "gardianit" është përfolur në "Istlends" që prej momentit kur në krye të klubit erdhi sheiku Mansour bin Zajed Al Nahjan. "The Daily Telegraph" pretendon se me këtë shifër, skuadra e Premiershipit kërkon të blejë dy prej yjeve më të mëdhenj të kampionatit italian. Edhe pse lajmi nuk konfirmohet zyrtarisht nga klubi, si Bufon ashtu edhe Kaka vlerësohen 65 milionë euro. Pavarësisht krizës ekonomike që ka pushtuar botën, Siti nuk mendon të tërhiqet nga synimi për të ndërtuar "skuadrën e ëndrrave", me të cilën kërkojnë të jenë protagonist në Premiership dhe në arenën ndërkombëtare. Tashmë duhet parë nëse paratë do të shërbejnë për të "joshur" dy klubet e Serisë A: deri më tani, Milani i ka rezistuar tentativave të rivalëve (kryesisht të Realit të Madridit), duke e cilësuar Kakanë të pashitshëm, ndërkohë që Juventusi i ka cilësuar zërat mbi Bufon si spekulime të pabaza.Megjithatë, te Siti, lista me lojtarët që synohen të afrohen është edhe më e gjatë. "Rikonstruktimi" pritet të fillojë nga mbrojtja, pasi 22 golat e pësuar në 14 ndeshje të kampionatit e detyrojnë një gjë të tillë. Në krye të preferencave në këtë repart janë Xhon Terri dhe Kolo Ture. Ndërkohë, Lasana Diarra, Roke Santa Kruz, Ashli Kol dhe Uejn Brixh po vëzhgohen intensivisht. Nuk ka asnjë dyshim, se jo të gjithë lojtarët e përfolur do të vendosen nën urdhrat e trajnerit Mark Hjuxhs. Disa prej tyre janë thjesht një konfirmim i synimeve të klubit, për t‘u ngritur në nivelet e "big"-ëve evropianë dhe më e rëndësishmja, për mbështetjen e madhe financiare që ka skuadra. Mjafton të kujtosh se milionat që arabët kanë premtuar se do të investojnë vijnë në një periudhë kur edhe Çelsi e Mançester Junajted po rishikojnë bilancet, në mënyrë që të ulin sa më shumë shpenzimet.