27 nëntor 2008

Cana eliminohet nga Liga e Kampionëve

Skuadra e Liverpoolit ka siguruar një vend për fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve pasi të mërkurën mbrëma ka shënuar fitore në Anfield kundër Olimpique Marseille me rezultat minimal 1-0.
Goli i vetëm në ndeshje u shënua në minutën e 23-të nga kapiteni i dhe simboli skuadrës vendase, Steven Gerrard, i cili shfrytëzoi krosimin e Alonsos për ta mposhtur me kokë portierin mysafir, Mandanda.

Pas kësaj humbjeje, skuadra e Lorik Canës eliminohet nga Liga e Kampionëve, ndërsa i mbetet që në takimin e radhës kundër Atletico Madridit të sigurojë pikët për t’u kualifikuar në Kupën UEFA. Takimi tjetër i Grupit D, i cili u zhvillua në kryeqytetin spanjoll ndërmjet Atletico Madridit dhe PSV, i takoi skuadrës vendase e cila shënoi fitore me rezultat 2-1.

Golat për vendasit i shënuan Simao (14’) dhe Maxi Rodriguez (28’), ndërsa me të filluart pjesa e dytë (47’), mysafirët arritën ta ngushtonin epërsinë me golin e Danny Koevermans, mirëpo ata nuk mundën të bëjnë më shuam kundër skuadrës së fuqishme të Atleticos. Edhe Atletico me këtë fitore siguroi vizën për vazhdimin e mëtutjeshëm në fazën ‘knockout’ të Ligës së Kampionëve, porse në cilën pozitë do të përfundojë në Grupin D do të varet nga takimi i fundit të cilin do ta zhvillojë në udhëtim kundër ekipit të Lorik Canës.