25 nëntor 2008

Fiorentina nuk është për Ligën e Kampionëve

Skuadra e Fiorentinës ka pësuar edhe humbjen e dytë në Grupin F edhe atë në Artemio Franchi nga skuadra franceze, Lyon, duke përfunduar ëndrrën e Cesare Prandellit për të vazhduar më tutje në Ligën e Kampionëve.
Edhe pse Fiorentina ishte skuadra që bënte presion në minutat e para të ndeshjes, nga një kundërsulm i skuadrës mysafire, Benzema e gjeti të lirë Makoun i cili e mposhti Freyn (15’). Lyon dyfishoi epërsinë në minutën e 27-të pas një pasimi të Juninhos, sulmuesi shumë në formë, Karim Benzema, me një goditje të bukur nga jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit e mposhti për të dytën herë portierin vendas. Krejt çka bëri Fiorentina ishte ngushtimi i epërsisë në 1-2, me golin e shënuar nga transferimi i sivjetmë, Alberto Gilardino, pa përfunduar pjesa e parë. Takimi tjetër i Grupit F, i cili u zhvillua në Allianz Arena, ndërmjet Bayern Munichut dhe Steaua Bucurestit, i takoi skuadrës vendase. Bavarezët shënuan fitore 3-0 kundrejt Steauas me golat e Miroslav Closes (57’ dhe 71’) dhe Luca Tonit (61’). Pas këtyre ndeshjeve, Lyoni dhe Bayerni ruajnë pozitat e para me nga 11 pikë, ndërsa takimi i fundit ndërmjet tyre që do të zhvillohet në Francë, do të përcaktojë vendet e tyre për vazhdimin e mëtutjeshëm nga ky grup.