27 nëntor 2008

Interi mposhtet në Meazza, Beqaj shpreson për kualifikim

Kampionët e Italisë, Inter, kanë pësuar humbje në Giussepe Meazza kundër grekëve të Panathinaikos me rezultat 0-1.
Edhe pas kësaj humbje zikaltrit mbesin liderë të Grupit B me tetë pikë, ndërsa kundërshtari i tyre, Panathinaikos, pas kësaj fitoreje renditet në vendin e dyte me shtatë pikë, gjë që mund t’ia rrezikojë Interit pozitën e parë në grup në takimin e xhiros së fundit.
Të vetmin gol për mysafirët e shënoi Josu Sarriegi në pjesën e dytë, pasi Cesar e mbrojti goditjen me kokë të Goumas, por nuk arriti ta mbronte edhe gjuajtjen e Sarriegit dhe u mposht në minutën e 67-të. Skuadra e portierit të Kombëtares Shqiptare Arjan Beqaj, Anorthosis Famagusta, e cila po ashtu bën pjesë në Grupin B, ka barazuar kundër skuadrës së Wrder Bremenit për ta mbajtur gjallë shpresën për një kualifikim të mundshëm në fazën ‘knockout’.

Edhe pse vendasit patën avantazh të dyfishtë me golat e Nicolaou (62’) dhe Savio (68’), gjermanët arritën që të barazonin në 2-2, me golat e Diegos (72’ nga penalltia) dhe Boenisch pa përfunduar koha e rregullt e takimit (88’). Për të kaluar më tutje Anorthosis duhet të shënojë fitore në udhëtim kundër skuadrës greke Panathinaikos, e cila me një barazim e siguron kualifikimin e mëtutjeshëm.