25 nëntor 2008

Mbreti Raul dërgon Realin në fazë 'knockout'

Real Madridi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim kundër Bate Borisov për të qenë më i sigurt drejt kualifikimit të mëtutjeshëm në Grupin H.
Madrilenët e filluan takimin me vetëm një pikë diferencë nga Zeniti, i cili barazoi më herët në takimin kundër Juventus, ndërsa çdo rezultat përveç fitores linte gjithçka hapur për takimin e fundit në Bernabeu. Mirëpo të zgjedhurit e Schuster nuk ia lanë asgjë rastit, por i rrëmbyen tre pikët nga ky takim i cili nuk doli të ishte aq i lehtë. Kapiteni legjendar i Los Merengues, Raul Gonzales ishte njeriu që ia siguroi fitoren skuadrës mysafire pas një krosimi të Drenthes në minutën që mban numrin e tij të fanellës. Me këtë fitore Reali kualifikohet në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, ndërsa xhiroja e fundit do të vendosë se në cilën pozitë do të përfundojë garën në Grupin H.