26 nëntor 2008

Zenit-Juve, zero gradë, zero gola

Përballje emociononte në Shën Pjetërburg në sfidën ndërmjet Zenitit dhe Juventusit. Pavarësisht temperaturave shumë të ulëta dhe ngricës që kishte pushtuar terrenin sportiv, dy skuadrat edhe pse nuk arrijnë të shënojnë asnjë gol, kanë dëfryer publikun vendës me lojën e tyre. Shumë raste për shënim, por asnjë konkretizim përveç tri shtyllave të goditura,respektivisht dy për bardhezinjtë dhe një për rusët. Skuadra e Klaudio Ranierit zhvillon një provë force, duke marrë një pikë mëse të merituar në këtë transfertë të vështirë, e cila u lejon italianëve që të vazhdojnë të kryesojnë bindshëm Grupin H të Ligës së Kampioneve me 12 pikë. Ndërkohë, rezultati 0-0 i kushton Zenitit lamtumirën nga Liga e Kampioneve, pasi fitorja e Realit të gjermanit Bernd Shuster në Bjellorusi ndaj BATE Borisovit u lejon madrilenëve të vazhdojnë më tej aventurën evropiane. Gjithsesi, skuadrës së holandezit Dik Advokat do t’i jepet shansi i artë që pse jo, të përsëritë suksesin e vitit të kaluar në Kupën UEFA. Në ndeshjet e fundit të fazës së grupeve, Zeniti do të udhëtojë drejt Spanjës për t’u ndeshur me Realin e Madridit në “Santiago Bernabeu”, ndërkohë që Juventusi do të presë në “Olimpikon” e Torinos, skuadrën modeste të BATE Borisovit.