29 dhjetor 2008

Amauri i shtrin dorën Dungës

Por mamaja e tij është pro aktivizimit të tij në kombëtaren e Italisë
Brazili mbetet në ëndrrat e Amaurit. Në pritje të pasaportës italiane, që do t‘i hapte portat e kombëtares së Lipit, sulmuesi i Juventusit, në një intervistë për të përditshmen braziliane "Estado de S.Paulo", thekson se, opsioni i tij i parë mbetet seleçao. Dunga akoma nuk e thërret, edhe pse në ditët e kaluara nuk e ka përjashtuar si mundësi se mund ta grumbullojë për miqësoren e 10 shkurtit, pikërisht kundër Italisë. "Pres i qetë një grumbullim ose me kombëtaren e Brazilit ose ma atë të Italisë, thotë Amauri. Pasaporta? Varet nga burokracia, mund të vijë pas pak ditësh apo muajsh, mund të jetë gati edhe në fillim të vitit. Megjithatë, unë jam brazilian dhe kombëtarja e vetme ku unë mund të luaj për momentin është ajo braziliane. Po pres vetëm një shans". Verdhëjeshilët - Me Dungën shpjegon ai "nuk kam pasur asnjë kontakt, por jam i sigurt që po më vëzhgon. E di që nuk është e lehtë të arrish te seleçao. Dunga punon me një grup lojtarësh prej dy vitesh dhe unë thuajse jam një i panjohur, edhe pse tani luaj te Juventus dhe kjo i jep më shumë peshë imazhit tim". Trajneri i verdhëjeshilëve e ka lënë të hapur thirrjen e Amaurit, por nuk dëshiron presion. "Ndoshta e ka thënë një gjë të tillë, për shkak të një deklarate të ish-menaxherit tim, që kërcënoi se, do të ankohesha për Dungën, tregon futbollisti bardhezi. Por nuk është e vërtetë dhe besoj se kjo histori nuk duhet të më ndjekë më. E di që trajnerët nuk i pëlqejnë këto gjëra dhe dua t‘i them Dungës se, nuk kam kërkuar kurrë asgjë. Nuk është pjesë e karakterit tim. Nëse do të shkoj në kombëtare, kjo do të ndodhë sepse kam punuar shumë, sepse e kam merituar në fushë, jo sepse të tjerët po bëjnë presion".Bardhezi - Por në mendimet e Amaurit nuk është vetëm Brazili. Te Juventus sulmuesi po gjen edhe lavdinë e tij. "Karriera ime po ecën shumë mirë, vazhdon ai. Ika nga Palermo dhe te Juventusi jam ambientuar menjëherë. Është e lehtë të luash me Del Pieron, Nedved, Kamoranezi. Ndeshja me Milanin? Ka qenë shumë e rëndësishme, kemi mundur një kundërshtar shumë të fortë, ka qenë një natë speciale. Pas nëntë vitesh luftë, nga ardhja ime në Itali, duke kaluar nëpërmjet Serisë B, tashmë luaj për një nga klubet më të rëndësishme të botës dhe gjëja më e bukur është se po tregoj vlerat e mia të vërteta. Ka qenë një 2008 shumë e kompletuar, më mungon vetëm grumbullimi në kombëtare".Bashkëkombësit - I vetmi brazilian te bardhezinjtë ("por me Tiago flasin edhe portugalisht"), Amauri ka marrëdhënie shumë të mira me bashkëkombësit e tij në Serinë A ("Julio Çezar është një mik i madh") dhe një ditë shpreson të kthehet në vendin e tij, për të veshur bluzën e skuadrës së zemrës. "San Paolo është si Juventusi i Brazilit, një skuadër e madhe, pohon ai. Ëndërroj akoma të luaj atje, por jo për momentin. Pas 9 vitesh në Itali, më në fund po luaj në një skuadër të madhe, por si tifoz i San Paolos dëshiroj akoma të luaj në skuadrën time të zemrës. E kam ndjekur në fitoren e kampionatit brazilian, isha i lumtur, ka qenë një muaj perfekt për mua".