19 dhjetor 2008

Amauri, më pranë të kaltërve

Amauri dëshiron të fitojë gjithçka, por mbi të gjitha një trofe me Juventusin. Nga ana tjetër, nuk e mohon faktin se një ditë mund të veshë fanellën e Kombëtares italiane. Gjatë një interviste për “Sky Sport”, sulmuesi bardhezi ka folur për momentin magjik që po kalon te Juventusi, ku gjatë dy ndeshjeve të fundit ka shënuar plot 3 gola: “Është akoma fillimi, por deri tani jam i kënaqur me atë që kam dhënë për Juven. Për të arritur deri në këtë pikë më është dashur të punoj shumë e të sakrifikoj po aq në të njëjtën kohë. Jam i nderuar e tepër krenar tani që të gjithë tifozët italianë bëjnë tifo për mua. Më pas, sulmuesi bardhezi ka lënë për të kuptuar se shumë shpejt mund të veshë fanellën e Kombëtares italiane, ndoshta që në fillim të muajit shkurt. Amauri mund të jetë një alternativë më shumë në sulm për trajnerin e Kombëtares italiane, Marçelo Lipi: “Nuk i dihet akoma, por ardhmja është plot me të papritura. Ekziston mundësia që unë të luaj me Kombëtaren italiane, por le të shohim se si do shkojë kjo punë. Megjithatë, një përgjigje më të saktë mund t’ua jap gjatë viti 2009”. Dhe në përfundim, Amauri, i pyetur se çfarë dhurate dëshiron për Krishtlindje është përgjigjur: “Dua gjithçka, por në veçanti të fitoj një trofe të rëndësishëm me Juventusin”.