24 dhjetor 2008

Behrami, duel mes gjigantëve Juve-Çelsi

Emri i Valon Berhamit e ka nxehur merkaton dimërore të futbollistëve. Tashmë është formuar një treshe, e cila është në garë për të marrë mesfushor kosovar të krahut, që ka pasaportë zvicerane.
Dhe çfarë tresheje: Çelsi, Juventus e Roma. Duket se do të kemi një duel shumë të komplikuar mes tyre. Për shembull: nëse Behrami do të duhej të linte Uest Hemin në janar, Roma do të ishte më e favorizuara.
Por nëse do të duhej të largohej në verë, verdhekuqtë do të dilnin nga skena dhe do të duhet të asistonin në një duel mes gjigantëve, me Juven nga njëra anë dhe Çelsin nga ana tjetër.
Në tetor, Alesio Seko kishte takuar njerëzit pranë lojtarit, të cilëve u kishte bërë një kërkesë precize: “Më informoni nëse ka ndonjë të re rreth Behramit”. Prandaj në momentin që Roma po interesohej për të, drejtori sportiv i Juves ishte i informuar. Juve tashmë mësohet se i ka kërkuar Uest Hemit mesfushorin kosovar për në merkaton e verës.
Për anglezët kjo ofertë është komode, pasi kështu i qëndrojnë besnikë edhe premtimit që i kanë bërë trajnerit të tyre, Zola: “Nuk e shesim Behramin deri në fund të kampionatit”.
Megjithatë, tashmë është bërë e njohur edhe shifra që kërkon skuadra angleze për të lënë të lirë futbollistin: bëhet fjalë për një shumë prej 20 milionë eurosh.