20 dhjetor 2008

Del Piero e Sissoko “Short shumë i vështirë”

Pasi kanë mësuar emrin e kundërshtarit të ardhshëm në Ligën e Kampioneve, komentet e lojtarëve bardhezinj kanë qenë shumë të matura, ashtu siç janë karakterizuar gjithmonë personazhet e kësaj shoqërie. “Një short mjaft i vështirë për ne. Është e qartë se në këtë pikë të këtij kompeticioni mbërrijnë vetëm skuadra të nivelit të lartë, por gjithsesi, organika e Çelsit dallon në krahasim me skuadrat e tjera”, deklaron kapiteni Aleks Del Piero. Gjithsesi, nëse ka një lojtar të Juventusit që mund të japë të dhëna të qarta mbi skuadrën e Çelsit, ai është padyshim, Momo Sisoko, një lojtar i cili është përballur shpesh me blutë e Londrës, gjatë periudhës që aktivizohej për Liverpulin. “E ndjek me shumë vëmendje Premier Ligën angleze. Për ne kjo përballje do të jetë shumë e fortë, ndaj duhet të shkojmë të përgatitur e të karikuar në maksimum në një sfidë të tillë. Aktualisht Çelsi nuk po kalon një moment fort pozitiv, por lojtarët që përbëjnë skuadrën e tyre janë ndër më të fortit në botë”.