16 dhjetor 2008

Del Piero: Inter, prapa na ke!

Jo vetëm u zgjodh rivali më i afërt e Interit. Kampionati italian zbuloi një “përbindësh” me vija bardhezi, që shkërmoqi Milanin dhe është hedhur në ndjekje të Interit të Ibrahimoviç. “I bëj përgëzimet e mia – thotë Del Piero, - po mbajnë një ritëm të mrekullueshëm. Por edhe Juve është aty prapa, nuk dorëzohet. Dëshiron të qëndrojë në valle në dy fronte deri në fund. Pa dashur të zgjedhë asgjë”. Mesazhi është i qartë. Juventusi ka oreks, s’mjaftohet vetëm me nënshtrimin e Milanit dhe me 24 pikët e rrëmbyera, ndër 27 që ishin të disponueshme gjatë 9 ndeshjeve të fundit. Juventusi, anti-Inter, zotëron klasin e Del Pieros, kampion unik dhe i përjetshëm, që gjeti golin numër 251 bardhezi dhe të 52-in me penallti. “Jemi të lumtur – vazhdon kapiteni -, por kjo fitore nuk i ndryshon ambiciet tona, të cilat kanë qenë gjithmonë të mëdha. Vetëm shtylla më mohoi të bëja një dygolësh. Nuk mund ta them atë që mendova kur e godita...”. Anti-Interi ka fizikun e Amaurit, brazilianit të Evropës, i cili deri tani ka arritur kuotën e 10 golave në kampionat. Anti-Interi zotëron personalitetin e Kielinit, lider i së ardhmes dhe sigurinë e së tashmes. Por s’ka si të mos llogaritet as Klaudio Ranieri, arkitekti i kësaj Juve. Ai ia doli që pas humbjes në Napoli më 18 tetor, të nxirrte nga lojtarët e tij më të mirën. Prej atëherë erdhën tetë fitore në nëntë ndeshje kampionati. Të dielën e “shtrydhën” rivalen e vjetër edhe në planin fizik, të inatit dhe vendosmërisë. “Kur luajmë në atë mënyrë – komenton trajneri – është e vështirë të na qëndrosh prapa. Mbi të gjitha e bëri diferencën grupi, ndërsa kampionët e mëdhenj shërbyen thjesht për të dhënë goditjen. Diçka e tillë është në gjenin e Juves. S’mjafton vetëm cilësia për të fituar, por duhet edhe karakteri”. E vetmja “njollë” e kohëve të fundit mbetet sfida direkte e humbur ndaj djemve të Murinjos: “Vetëm në atë rast s’ishim vetvetja – vazhdon Ranieri. - Ndaj Interit nuk shikuat Juven e vërtetë. Ndërsa me Milanin, po. U kisha kërkuar djemve një paraqitje me personalitet të madh dhe ma dhuruan. Nuk di të them nëse ishte Juve më e mirë e epokës sime, megjithatë i përgëzova lojtarët në dhomat e zhveshjes. Me të vërtetë e meritonin. Fitorja është e rëndësishme, por ende jo vendimtare”. Megjithatë s’mund të mohohet se është bërë një hap i konsiderueshëm përpara në garën për titull: “Por ne duam të provojmë të fitojmë diçka, duke luftuar në të gjitha frontet”, përfundon Ranieri.