29 dhjetor 2008

DEL PIERO, TOTI, MURINJO, NJË LIPI ME KËND TË GJERË

Marçelo Lipi ka dhënë mendimin e tij për gjithçka: lojtarët e kombëtares, të rinjtë, rolin si trajner, Del Pieron, Totin, Ançelotin, Mançinin dhe Murinjon. Del Piero – “Unë mendoj se Alesandro Del Piero do të arrijë në kuotën e 300 golave (tani ka shënuar vetëm 252), sepse është një djalë që ka aq shumë dëshirë për të luajtur, i pëlqen aq shumë t’i përgatisë më së miri paraqitjet e tij nga pikëpamja teknike dhe atletike, nga pikëpamja psikologjike, sa të jep ndjesinë që nuk është një lojtar 34- vjeçar në përfundim të karrierës së tij, por sikur ka ende shumë objektiva përpara vetes. Në botë, Del Piero është Juventusi dhe Juventusi është Del Piero”. Toti – Ashtu si Del Piero, edhe Toti ka historinë e tij. “Është një djalë shumë i mirë, mjaft i zoti, i thjeshtë, madje edhe pak i turpshëm, pavarësisht se është tepër i rëndësishëm në futbollin italian, sidomos në atë kryeqytetas. Kur e kam njohur, më ka bërë përshtypje një gjë, – shpjegon Lipi, – aftësia e tij për të reaguar ndaj shumë dëmtimeve që ka pësuar. I ka kaluar mjaft shpejt. Për shembull, dëmtimi gjatë botërorit: më kujtohet që ishte ai i pari, në një ambient ku kjo po përjetohej me shumë dramacitet, që u dha siguri e qetësi të gjithë njerëzve që i qëndronin afër. Dhe kjo ishte me të vërtetë mbresëlënëse. Ja pse isha shumë i sigurt që do të rikuperohej shpejt”. Kanavaro – “Fabio është i veçantë, sepse nuk janë lojtarët më të shkëlqyer ata që bëjnë goditje me takë apo pasime të hijshme, por janë ata që arrijnë të japin më të mirën e tyre në një ambient të caktuar duke përfshirë edhe shokët e skuadrës. Fabio është një nga këta njerëz. A do ta lejojmë të shënojë rekordin e paraqitjeve me kombëtaren? Mendoj se ky është një nga objektivat e tij, por është aq serioz, sa po ta kuptonte se nuk është më në lartësinë e duhur, nuk do të pretendonte të luante vetëm sa për të shënuar rekordin. Do të shikojmë se çfarë do të bëjmë, por mund të them pa frikë se mund të luajë edhe 2-3 vjet”. Xhilardino – Lipi ka dhënë mendimin e tij edhe për sulmuesin që është rikthyer fuqishëm tek Fiorentina: “Është diçka shumë e bukur që Xhilardino ka arritur të rigjejë papritur sigurinë në ambientin ku luan dhe harmoninë me trajnerin e tij. Pavarësisht se ka qenë diçka krejtësisht e papritur, ai është sinkronizuar edhe me ambientin e kombëtares”. Pankina e Milanit – “Ka qenë një periudhë gjatë së cilës unë isha në dijeni të gjërave që ndodhnin aty, nga ato që lexoja nëpër gazeta. Dhe, të them të drejtën, nuk e kam pasur kurrë ndjesinë që Milani nuk donte të kishte më si trajner Ançelotin, i cili e njeh atë klub si askush tjetër. Ndjesia që kemi pasur gjithmonë gjatë viteve të fundit është që Milani është Ançeloti dhe Ançeloti është Milani. Është mjaft e fortë lidhja ndërmjet trajnerit dhe shoqërisë. Situatave tepër të vështira, të cilave u ka dhënë zgjidhje, madje edhe nga pikëpamja psikologjike, vetëm një njohës shumë i mirë i ambientit milanist mund t’i zgjidhte. Për këtë arsye kam menduar gjithmonë se e ardhmja e Milanit do të jetë e lidhur me Ançelotin dhe nuk besoj se do të ndryshoj mendim”. Roli – Trajneri i kombëtares ka bërë një koment edhe për rolin e trajnerëve, lidhur me deklaratat e RobertoMançinit pas humbjes me Liverpulin, e vlefshme për Ligën e Kampionëve 2007-2008. “Figura e trajnerit është shumë e veçantë. Nuk bëhet fjalë për eksperiencë, vjetërsi, punë, a për mënyrën sesi sillesh në situata të veçanta. Ato janë thjesht momente,në të cilat ndihesh i ezauruar, ndihesh gati-gati i zhgënjyer, sepse punën tënde e përjeton me një intensitet të habitshëm, me një pasion të madh, me një vullnet të pashtershëm dhe kur merr një rezultat shumë negativ, nuk mban më dhe shprehesh me ca fjalë, të cilat po t’i kishe menduar edhe për pak sekonda më tepër, nuk do t’i kishe thënë kurrë”. Lipi më pas ndalet tek Murinjo. “Kam biseduar shumë herë me të, e njihja që nga mbledhjet e UEFA-s. Kurrë nuk kam dëgjuar një futbollist të flasë keq për Murinjon, përkundrazi të gjithë flasin me shumë mirë. Dhe kjo është meritë vetëm e trajnerit”. Zbulimi – “Ajo që ka ndodhur në Napoli është diçka shumë e bukur. Duket sikur ky qytet mund t’i përjetojë momente të tilla vetëm falë publikut të tij dhe pjesëmarrjes. Mirëpo, në të vërtetë, pas këtyre rezultateve qëndron një programim tepër serioz, qëndron një shoqëri që ka punuar shumë, që ka gjetur lojtarë të rinj mjaft interesantë; një shoqëri me ka një kapacitet të shkëlqyer nga pikëpamja tekniko-taktike e që ka mbledhur disa lojtarë kaq të mirë dhe që ka bërë një grup të bashkuar”.Veteranët dhe të rinjtë – Lipi rrëfen, ndër të tjera, edhe dëshirën e tij për vitin 2009: “Vazhdimësia e kësaj gjëje kaq të bukur, kaq mahnitëse, kaq të rëndësishme me të cilën jam marrë kohët e fundit, domethënë me ristrukturimin e grupit të ri, i cili ka cilësitë e duhura psikologjike për të provuar edhe njëherë të zbresë në fushë një super skuadër për Botërorin 2010. Sipas mendimit tim, po ecim në rrugën e duhur, sepse kemi lojtarë veteranë që janë fantastikë dhe kanë dëshirë të vihen në dispozicion të të tjerëve. Por kemi edhe lojtarë të rinj që janë të gatshëm të përshtaten e të përfitojnë eksperiencë nga më të vjetrit. 2010? Do të ishte fantastike sikur ta fitonim edhe njëherë botërorin”.