28 dhjetor 2008

E ëma e Amaurit bën tifo për Kombëtaren italiane

Ëndrra e Amaurit është të luajë me Kombëtaren braziliane. Këto i ka zbuluar Zhanet Oliveira, mamaja e sulmuesit juventin, por edhe vetë Amauri nuk e ka fshehur kurrë këtë fakt. Gjithsesi, nëna e tij bën tifo që i biri të zgjedhë të kaltrit: “Ëndrra e tij është të luajë për Brazilin, por për mendimin tim ai duhet të zgjedhë për të përfaqësuar Italinë, sepse Italia është vendi që i ka dhuruar famë dhe sukses Amaurit. Por si nënë, dua që të realizohen të gjitha ëndrrat e djalit tim”. Ndërsa Amauri shprehet: “Nëse do të më jepej një mundësi me ‘Seleçaon’, do të më realizohej një ëndërr madhështore. Pasaporta italiane? Nuk e dua që të kem mundësi të luaj në Kombëtaren italiane, por thjesht për faktin se nuk dua të jem më një lojtar ekstrakomunitar”.