19 dhjetor 2008

Inter-Juve: ish-lojtarët zgjedhin kryesuesit

Sondazhi, i bërë me lojtarët që kanë veshur fanellat e dy klubeve, nxjerr fitues zikaltritGjashtë pikë më shumë për Interin, dakord! Por më pas vijnë komentet e Gianni Riveras, që nga futbolli kupton diçka, dhe thotë se Milani ka më shumë cilësi se të gjithë. Vetëm si tifoz? Për ta kuptuar këtë, janë pyetur edhe disa ish-lojtarë, të përzgjedhur midis atyre që kanë veshur si fanellën zikaltër edhe atë bardhezi. Në fund, janë rreshtuar, sipas skemës klasike 4-4-2, duke respektuar pozicionin e tyre natyral. Eshtë menduar edhe për lojtarët rezervë: tre, si në të kaluarën. Pyetje e drejtpërdrejtë: Deri tani ju ka bindur më shumë mënyra e lojës së kryesueses, apo ajo e ndjekëses së parë? Përgjigje të gjata, por në thelb përfundimi reflekton diferencën aktuale që ekziston midis dy rivaleve. Interi ka më shumë preferenca. “Nga ana tjetër, përballja direkt ka qenë shumë domethënëse. Interi ka fituar në mënyrë bindëse,” - tregon Aldo Serena. Angelo Peruzzi, portieri rezervë i këtij ekipi, shprehet se loja e Interit “është më spektakolare, ndërsa Juventusi, për mënyrën se si lëvizin lojtarët në fushë, duket më kompkat”. Lojtari titullar midis shtyllave është Giuliano Sarti dhe është në një mendje me kolegun e tij të ri. “Mua më duket se Juventusi e mbulon shumë mirë fushën. Nuk kemi të bëjmë me një diferencë të madhe, të dy ekipet janë shumë afër njëra-tjetrës nga vlerat që kanë, por, për momentin, Juventusi më duket më mirë.” Po bardhezinjtë e tjerë. Franco Causio ka pak dyshime: “Mua Juvja më ka pëlqyer, sepse ka ruajtur distancën me kryesuesen, edhe pse i është dashur të luajë pa lojtarë të rëndësishëm të kalibrit të Trezegeut, Buffonit, Zanettit, me Camoranesin në gjysmë shërbim, dhe të dëtmuar të tjerë. Ky është tregues i një organizimi të mirë dhe i forcës së karakterit”. Mbi këtë është dakord edhe Pietro Anastasi. Ndërsa nga Irlanda vjen fort dhe qartë mendimi i Marco Tardellit, thelbësor në analizën e tij. “Mendoj se skuadra e Ranierit është më e ekuilibruar se ajo e Mourinhos.” Nga Londra, ku stërvit ekipin e kategorisë së dytë, QPR-në e Briatores, vjen replika e Paulo Sosas, lojtari që mbulon rolin e krahut në këtë ekip imagjinar. “Unë besoj se Mourinho do ta fitojë kampionatin me një distancë të konsiderueshme. Nga ajo që shoh nga televizori, i ka dhënë ekipit organizim dhe stil të ri loje.” Një adhurues i sinqertë i trajnerit portugez është edhe Salvatore Fresi, mbrojtësi i qendrës, që ka luajtur për më shumë kohë me klubin zikaltër. “Midis dy ekipeve është e njëjta diferencë që ndodhet midis arit dhe argjendit. Mourinho nuk është i zoti vetëm me fjalët, e di mirë punën e tij.”