29 dhjetor 2008

Interi dominon Serinë A, por Juventusi e ndjek

Kreu i Serisë A njeh vetëm ngjyrat zikaltër, sido që do ta analizojmë sezonin e tyre. Sido që ta analizojmë paraqitjen e tyre, qoftë gjatë kësaj periudhe 12 mujore, ose të këtyre 17 javëve të para të këtij kampionati të Serisë A, 2008-ta është absolutisht viti i Interit. Që nga shkarkimi i Roberto Mançinit e deri te mbërritja e Zhoze Murinjos nën drejtimin e skuadrës, asgjë e re nuk ka ndodhur në kreun e kampionatit italian, Interi vazhdon të kryesojë bindshëm dhe nëse të tjerat nuk reagojnë, vështirë se situata mund të ndryshojë deri në përfundim të sezonit, por pse jo edhe në vitet e ardhshme. Nëse analizojmë këtë vit të zikaltërve, çdo gjë flet në favorin e tyre, ndërkohë që Milani, duke pasur parasysh që nuk do të ketë as impenjimin në Ligën e Kampioneve, duhej të bënte më shumë kundrejt “kushërinjve” të tyre, të cilët ndodhen plot 9 pikë larg tyre. Nga ana tjetër, Juventusi është padyshim skuadra më e mirë pas asaj të Murinjos. Sezonin e kaluar bardhezinjtë realizuan objektivin e tyre, që ishte rikthimi në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që aktualisht janë ndjekësit më të afërt të kampionëve në fuqi të Italisë, me 6 pikë. Një 2008-të e suksesshme ka qenë edhe për skuadrat si Katania, Xhenoa e Napoli, skuadra të ashtuquajtura të vogla, por që gjatë këtyre 17 javëve të para të Serisë A kanë zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer. Ndërkohë, që zhgënjejnë skuadrat si Roma, një start shumë i gabuar i këtij sezoni, por gjithashtu edhe Udineze e Sampdoria. Këto janë notat për skuadrat italiane për vitin 2008.

INTER 8.5 – Një votë më pak se vitin e kaluar, ndonëse në kampionatin e kaluar, zikaltrit deri në këtë pikë të sezonit ishin ende të pamundur, me një pikë më shumë diferencë kundrejt ndjekëses së tyre, gjashtë gola më shumë të shënuar dhe dy më pak të pësuar. Ndërkohë që në sezonin aktual, asnjë skuadër nuk ka shënuar më shumë se Interi, por edhe mbrojtja më e mirë u përket zikaltërve. Gjithsesi, vështirësitë e shfaqura në fushën e lojës janë shumë herë më të mëdha në këtë kampionat sesa në atë të kaluarin, sepse duket se formacioni i Zhoze Muronjos është totalisht i varur nga golat e Zlatan Ibrahimoviçit, ndërkohë që në atë të kaluarin, Hulio Kruz nxirrte nga situata kampionët.

JUVENTUS 8 – Bardhezinjtë janë të vetmit që duken se mbajnë hapin e Interit, duke konfirmuar kështu parashikimet e post sezonit të kaluar si rivalët më të zjarrtë e zikaltërve. Është shumë e vërtetë që “Zonja e Vjetër” ka humbur përballjen direkte me djemtë e Murinjos, por gëzon ekuilibrin taktik dhe urinë për suksese për të vënë në vështirësi Interin, pavarësisht mungesave të shumta dhe të rëndësishme si Bufon, Kamoranezi, Trezege, por edhe Tiago, Poulsen e Zaneti. Me rikthimin e tyre, gjërat priten që të ndryshojmë edhe më pozitivisht për skuadrën torineze.

KATANIA 7.5 – Një skuadër e këndshme
Bilanci i vitit/ Zikaltrit nuk njohin rivalë në 2008-n, Milani dhe Roma zhgënjejnë Interi dominon Serinë A, por Juventusi e ndjek në fushën e lojës, që dëfren me lojën e saj, por mbi të gjitha me një qëndrueshmëri rezultatesh të habitshme, të paktën për objektivat e parashikuara prej saj. Me Valter Zengën në vend të Baldinit, Katania ka përmirësuar me katër pikë rendimentin e saj, nëse krahasojmë 17 javët e para të dy kampionateve. I vetmi defekt i formacionit kuqeblu janë mungesa e fitoreve në transfertë.

XHENOA 7.5 – Skuadra e Gasperinit sivjet ka grumbulluar dhjetë pikë më shumë se në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, një skuadër thuajse e pagabueshme në shtëpinë e saj, ku nuk ka humbur kurrë dhe me kryegolashënuesin më të mirë në radhët e saj, Diego Militon, Xhenoa është padyshim surpriza më e bukur e këtij kampionati.

NAPOLI 7.5 – E teta në kampionatin e kaluar, e pesta aktualisht dhe me pesë pikë më shumë, duke treguar një rritje të vazhdueshme në rendimentin e lojës së saj. Projekti i presidentit De Laurentis po funksionon në mënyrë të shkëlqyer, që së bashku me ndihmën e Marinos dhe Rejas po ofron rezultate konkrete, edhe pse skuadra, e pamundur deri tani në shtëpi, ka humbur katër transfertat e fundit. Gjithsesi, një problem i tillë, duke parë potencialin teknik të Napolit, është mëse i rikuperueshëm dhe një vend mes katër të parave për ta nuk do të ishte një surprizë.

ATALANTA 7 – Kompaktësia e grupit është arma e saj më e fortë, kjo, falë edhe punës së shkëlqyer të trajnerit Del Neri dhe mbështetjes së padiskutueshme të familjes Ruxheri, presidencës së klubit. Maturia e vazhdueshme e shfaqur edhe nga sulmuesi i saj më i mirë, Flokari, aktualisht në kuotën e tetë golave dhe rendimentit të jashtëzakonshëm të kapitenin Kristiano Doni, Atalanta premton të tjera emocione dhe kënaqësi për tifozët në vazhdimin e javëve të ardhshme, edhe pse klubi këmbëngul se objektivi i vetëm është qëndrimin në Serinë A.

KALJARI 7 – Përgëzimet më të mëdha i meriton presidenti Çelino, që i ka habitur të gjithë, duke konfirmuar trajnerin Alegri në krye të stolit të skuadrës pas pesë humbjesh radhazi në pesë ndeshjet e para të kampionatit. E pamëshirshme në shtëpinë e saj kundër kundërshtarëve direkt, Kaljari avancon e sigurt në të ardhmen nën vulën e golave të të përhershmëve, Akuafreska dhe Zheda.

FIORENTINA 7 – E ka nisur mjaft dobët këtë sezon, por e ka përfunduar atë, të paktën deri në këtë fazë, në mënyrë të shkëlqyer, me tri fitore radhazi. Xhilardino konfirmohet si një sulmues race dhe nën mbështetjen e Mutusë, Fiorentina dhe Prandeli do të jetë një kockë e fortë për cilëndo skuadër.

SIENA 7 – Ndeshja kundër Interit ishte e fundit e një serie të gjatë paraqitjesh pozitive për vitin 2008. Me lojën spektakolare, bardhezinjtë e Xhampaolos do të provojnë me të gjitha forcat të sigurojnë qëndrimin në Serinë A, ndonëse në 2009 do të kërkohet të shënohet disi më shumë.

LACIO 6.5 – Vendi i shtatë aktual, duke kujtuar vështirësitë me të cilat kjo skuadër është përballur në sezonin e kaluar meriton një notë më të lartë, por pas fillimit të vrullshëm të lojtarëve të Delio Rosit, ndeshjet e dobëta të zhvilluara në javët e fundit kanë ulur disi entuziazmin dhe dëshirën për të luftuar. Zarate padyshim është një ndër blerjet më të goditura të Serisë A ndër vite, por i mungon pak eksperiencë.

MILANI 6 – Skuadra më e fortë në shtëpinë e saj me 24 pikë të grumbulluara, por gjen vështirësi të jashtëzakonshme në transfertë. Një notë e tillë është mesatarja aritmetike e asaj që meriton për paraqitjet në shtëpi, padyshim 8 dhe 4-ës, që meriton për sfidat larg “San Siros”. Duke qenë se sivjet kuqezinjtë e nisën më të karikuar se kurrë për të rikthyer titullin e Serisë A në shtëpinë e tyre, nuk mund të mjaftojë vetëm ai sukses i arritur kundër zikaltërve, pasi aktualisht Interi ka një diferencë prej nëntë pikësh nga skuadra e Ançelotit. Përveçse duhet të zgjohet disi në 2009, Milani duhet të shpresojë edhe në gabimet e Interit.

PALERMO 6 – Pavarësisht ndërrimeve të shpeshta të trajnerëve, Palermo duket një skuadër pa shpirt. Ndryshon ritëm vetëm në ndeshjet me skuadrat e mëdha, ku kujtojmë këtu fitoret bindëse ndaj Milanit e Romës, por vetëm kaq.

BOLONJA e LEÇE 5.5 – Kuqeblutë e fillojnë me një fitore madhështore në “San Siro” kundër Milanit, por deri me mbërritjen e Mihajloviçit, nën drejtimin e skuadrës asgjë konkrete nuk ishte parë, pavarësisht 12 golave të Marko Di
Vaios. Edhe Leçe është ajo skuadër, që lufton me të mëdhatë, por ngec në ndeshjet direkt. Padyshim që këto dy formacione janë ndër kandidatet për t’u rikthyer në Serinë B, por nuk dihet kush do ta arrijë.

ROMA 5 – Nuk mund ta niste në mënyrë më të keqe sezonin. Mbetet menjëherë jashtë luftës për titull dhe tashmë duhet të ndjekë me vështirësi, por edhe me shumë sakrificë ‘trenin’ e skuadrave që të çon drejt vendit të katërt. Objektivi i vetëm që verdhekuqtë mund të kërkojnë nga ky sezon i Serisë A.

SAMPDORIA – TORINO – UDINEZE 5 – E mbyll sezonin e kaluar në vend të gjashtë, por skuadra aktuale nuk i ngjason aspak asaj së kaluarës. Shumë probleme në sulm dhe jo më kot vetëm Kievo, Leçe e Siena kanë shënuar më pak se bardhekaltrit. Udineze fillimisht u cilësua si surpriza e sezonit, pasi për tri javë mbajti edhe kryesimin e renditjes, ndërkohë që tashmë ka humbur plotësisht në pozicionet e mesit të tabelës. Skuadra duhet të reagojë, por... Torino, ashtu si Palermo, është një skuadër pa shpirt gare, shumë e vakët në lojën e saj, por me Novelinon pritet të ndryshojë ritëm.

REXHINA 4.5 – Objektivi i kalbrezëve është shpëtimi nga rënia nga Seria A për të dhjetin vit radhazi. Ndryshe nga sezonet e kaluara, organika e skuadrës është më pak cilësore me përjashtim të Korradit e Kocës, ndaj shpresat janë të pakta.

KIEVO 4 – Fitorja në javën e parë kundër Rexhinës kishte gënjyer verdheblutë, të cilët pavarësisht zëvendësimit të trajnerit, Iakini me Di Karlon, duken të destinuar të rikthehen në Serinë B.