26 dhjetor 2008

Ja për ç’kanë nevojë “4 motrat”

Inter “gjuan” për mbrojtës, si Milani. Juve do një mesfushor, Roma kërkon sulmues. Bashkë me vitin 2009 troket edhe rihapja e merkatos dimërore (nga 7 janari deri më 2 shkurt). Shumë skuadra të Serisë A kanë filluar të bëjnë lëvizjet, për të afruar elementët që i duhen për të plotësuar mozaikun. Dihet që merkato e janarit është shumë e veçantë. Bëhet fjalë për një farë labirinti, nga i cili rrezikohet të dilet me zhgënjime të mëdha, por edhe që mund të dhurojë lojtarë në gjendje për t’i ndihmuar skuadrat që të bëjnë kthesa të papritura. Ja se për çfarë kanë nevojë 4 skuadrat kryesore të Serisë A, duke parë ecurinë e deritanishme të sezonit.

JUVENTUS - Mendohet për post-Nedved

Klubi bardhezi duket i përqendruar sidomos në gjetjen e një pasardhësi të Nedved. Megjithëse në një moment të parë dukej se në skuadrën torineze duhej një mesfushor cilësor, për janarin flitet se drejtuesi Seko po punon për të marrë rusin Juri Zhirkov, një nga elementët e forcës së CSKA Moskës, gjithashtu protagonist i një Evropiani të shkëlqyer gjatë verës së fundit dhe i zgjedhur si lojtari më i mirë në Rusi për vitin 2008. Në planet e bardhezinjve shihet si një pasardhës i denjë i Nedved. Për momentin CSKA nuk dëshiron të ulet në tavolinë për të diskutuar, por Juve kërkon gjithsesi, të provojë. Si alternativë shihet Luka Mëdriç, talenti kroat i Totenhemit, i cili ka thënë se dëshiron të qëndrojë në Londër, por i ka hapur dyert edhe një shitjeje të mundshme. Sidomos duke parë që Totenhemi s’ka më objektiva të rëndësishëm, kurse Juve luan edhe në Evropën e rëndësishme. Kjo mund ta shtyjë kroatin të dorëzohet përballë joshjeve bardhezi. Emra të tjerë janë edhe Joakin i Valencias dhe Maluda i Çelsit. Gjithashtu, pëlqehet shumë anësori i djathtë i Uest Hemit, Valon Behrami. Gjithashtu, si përforcime për mesfushën bardhezi përmenden emrat e dy elementëve të Udinezes, si Gokhan Inler e Gaetano D’Agostino. Zvicerani 24-vjeçar është prej kohësh edhe në shënjestrën e Arsenalit, ndërsa vlerësimi i D’Agostinos, për të cilin është në garë edhe Milani, vërtitet te 8 milionë euro.

MILAN - Kërkohet mbrojtës i “dorës së dytë”

Mes klubeve të mëdha italiane, Milani duket se është më aktivi në merkato, megjithëse suksesi i fundit i arritur në kampionat me Udinezen mund t’i ketë sugjeruar ide të reja Ançelotit e Galianit. Eksperimenti i avancimit të Marek Jankulovskit në mesfushë, për t’i bërë ballë situatës emergjente në këtë repart, jo vetëm që dha frytet e veta, por mesa duket s’e ka zhvendosur edhe shënjestrën përsa u takon lëvizjeve në merkaton e janarit. Mesa duket, gjuetia më e madhe do të bëhet për një mbrojtës, mundësisht në gjendje për të luajtur si në qendër, ashtu edhe në krah. Emri më i fundit duket se është ai i Andrea Dosenës së Liverpulit, megjithëse duket e vështirë që Benitez ta lërë menjëherë të lirë. Një ëndërr më vete është Mekses i Romës, për të cilin megjithatë, klubi verdhekuq vazhdon të bëjë rezistencë. Më të përshkueshme për momentin duken pistat e Fabio Kanavaros së Realit, Kastelinit të Parmës, ose Terlicit të Sampdorias. Në shkurt mund të kthehet Nesta, megjithatë vetë Galiani nuk e ka përjashtuar ndërhyrjen e mundshme në merkaton e mbrojtësve: “Shpresojmë që Alesandro të rikuperohet, pasi me të do të ishte më mirë. Gjithsesi, të shohim nëse do të gjejmë një rast të leverdishëm. Mbi të gjitha, do të synojmë që raporti cilësi-çmim i një lojtari të jetë i kënaqshëm. Sigurisht duhet të jetë një lojtar i nivelit të dytë. Kemi marrë Tiago Silvën e nuk na lejohet të blejmë më emra të mëdhenj”.

INTER - Sytë tek Angeler

Në skuadrën zikaltër, më tepër nevojë ka për shitje lojtarësh, sesa për blerje. Politika e zgjedhur nga Branka e Murinjos është mjaft e qartë: nëse elementë si Krespo, Dakurt, apo Adriano, s’do të gjejnë një blerës të vlefshëm, do të qëndrojnë në Milano deri në fund të sezonit. Me konfirmimin e Balotelit përsa i takon sulmit, i vetmi operacion që i sheh të impenjuar zikaltrit është ai që të dërgon në gjurmët e Markos Angeleri. Bëhet fjalë për një mbrojtës 25-vjeçar të Estudiantes, në gjendje për të luajtur si alternativë e Maikon në krahun e djathtë, por edhe i aftë për të mbuluar zonën qendrore. Kostoja e argjentinasit, i cili ka pasaportë komunitare, arrin rreth 3 milionë euro.

ROMA - Sa shumë opsione!

Klubi verdhekuq është i detyruar të zgjidhë në mënyrën më të mirë situatën e krijuar pas dëmtimeve të shumta të Françesko Toti. Në fund të fundit, një sulmues qendror nevojitej edhe me kapitenin në formën më të mirë e jo më tani që numri 10 romanist rrezikon të qëndrojë jashtë fushave për gati dy muaj. “Preja” e preferuar e Spaletit dhe Prades quhet Serxhio Flokari, protagonist i një starti brilant të sezonit me fanellën e Atalantës. Edhe për këtë arsye është e vështirë që klubi bergamask të privohet në janar nga golashënuesi më i rëndësishëm. Alternativat mbeten Krespo, që nuk po gjen vend tek Interi, por edhe Pacini, i cili është drejt prishjes së marrëdhënieve me Fiorentinën. Ndonëse sulmuesi i ri i vjollcëve pëlqehet edhe nga Sampdoria e Palermo.