29 dhjetor 2008

Juventus 10 milionë për Behramin

Juventus i ka përgatitur 10 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e Valon Behramit. Sipas ueb faqes italiane, ilcalciomercato.it, kosovari me pasaportë zvicerane nuk do ta refuzonte transferimin te Bianconerët. Juventus po e sfidon Romën dhe Milanin për mesfushorin kosovar me nënshtetësi zvicerane, Valon Behrami, shkruan ueb faqja italiane, ilcalciomercato.it. Gjithnjë sipas kësaj ueb faqeje, futbollisti i West Hamit e pëlqen destinacionin te Bianconerët, në rast se dy klubet merren vesh në mes vete. Drejtor gjeneral i Juventusit, Jean Claude Blanc e ka bërë gati një ofertë prej 10 milionë eurosh, për ta transferuar 23-vjeçarin në Torino. Për ish-futbollistin e Lazios, interesim ka shprehur edhe Fiorentina, por klubit Viola i është komplikuar puna, ngase dëshironte ta shkëmbente sulmuesin e vet, Pazzini, me Behramin, gjë e cila është hedhur poshtë nga zyrtarët e klubit anglez dhe që nuk do të ndodhë.
Ditë më parë, mediat angleze shkruanin se përpos Juventusit, Milan, Roma e Fiorentina, për Valon Behramin është i interesuar edhe nënkampioni i Evropës dhe i Anglisë, Chelsea.
Drejtori sportiv i West Hamit, Gianluca Nani, javën e kaluar e kishte përgënjeshtruar lajmin se Behrami do të largohej nga Londra gjatë afatit kalimtar të janarit, por nuk e kishte përjashtuar mundësinë se kjo do të mund të ndodhë gjatë verës së ardhshme.
Klubi anglez e kishte blerë Behramin nga Lazio për 6 milionë euro, verën që e lamë pas, ndërsa tash kartonin e mesfushorit, njëherësh edhe mbrojtësit të djathtë kosovar, e vlerëson 20 milionë euro. Megjithatë, më shumë rreth së ardhmes së kosovarit, i cili ka shkëlqyer këtë pjesë të sezonit te West Hami, do të dihet në muajin janar, kur fillon afati kalimtar.