20 dhjetor 2008

“Juventus-Çelsi, ne kundër miliarderëve”

“Katër vite nuk harrohen lehtë”. Çelsi-Juventus do të jetë ndeshja e zemrës për Klaudio Ranierin. “Do të jetë një ndeshje shumë e bukur, një përballje interesante, - ka komentuar shortin e Nionit trajneri bardhezi. – Do të jetë bukur të shohim përballë njëra-tjetrës Anglinë e Italinë dhe se në ç’pikë ndodhet futbolli italian kundrejt padronëve të miliarda eurove”.Tekniku i klubit torinez nuk nguron të shfaqë emocionet e tij pas mësimit të kundërshtarit në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Në të njëjtën kohë, Ranieri ka realizuar një dëshirë personale, pasi nëse kujtojmë mirë, menjëherë pasi kishte siguruar matematikisht kualifikimin për në 1/8 e finaleve, ai kishte kërkuar që në këtë tur të Champions-it të kishte përballë pikërisht Çelsin dhe si për çudi... “Skuadra e Skolarit është ndër favoritet, për të mos thënë ekipi kryesor për suksesin final, duke kujtuar që sezonin e kaluar ishin të pafat në finale vetëm nga pika e bardhë e 11-metrave. Pranojmë që do të jetë një ndeshje e vështirë për ne, por në të njëjtën kohë, stimuluese. Nga ana tjetër, jam i bindur se edhe stafi dhe lojtarët e londinezëve nuk do të jenë shumë të lumtur që do të përballen me Juventusin...”, vazhdontrajneri juventin. Klaudio Ranieri kërkon të theksojë se këtë sfidë nuk e sheh si një hakmarrje ndaj Roman Abramoviçit, padronit të Çelsit, i cili pasi mori drejtimin e skuadrës e zëvendësoi italianin me portugezin Zhoze Murinjo. “Abramoviçinvetëm mund ta falënderoj, sepse nuk kam pasur probleme me një president në kërkimin e lojtarëve që preferoja, shifrat e të cilave ishin stratosferike. ‘E rëndësishme është që të formojmë një skuadër të fortë’, më thoshte gjithmonë”.