20 dhjetor 2008

Juventus ngulmon për Behramin

Uest Hem e cilëson të pashitshëm, Valon Behrami është shndërruar në objektivin kryesor të Juventusit. Klubi bardhezi kërkon të blejë mesfushorin, që vetëm pak muaj më parë luante me Lacion në Serinë A. Momentalisht, 23-vjeçari militon në Premiership, në radhët e Uest Hem dhe është një prej pikave të forta të skuadrës së drejtuar nga Xhanfranko Zola. Kosovari me pasaportë zvicerane cilësohet si një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim në rolin e tij dhe drejtuesit e "Zonjës së Vjetër" e shohin si pasardhësin e ish-fituesit të "Topi të Artë", çekut Pavel Nedved. Gjatë udhëtimeve të tija të shumta në Londër, drejtori sportiv i Juventusit, Alesio Seko, ka bërë një ofertë zyrtare tek Uest Hemi për Behramin. Në klubin torinez janë optimistë se mund të gjendet një marrëveshje, edhe sepse drejtor sportiv i skuadrës angleze është emëruar një italian, Xhanluka Nani, që në të kaluarën ka punuar te Breshia. "Bisedimet për blerjen e Behramit janë përshpejtuar, edhe sepse Seko ka udhëtuar drejt Anglisë për të gjetur akordin për mesfushorin e krahut", theksonte gazeta "Tuttosport". Klubi anglez pagoi 6 milionë euro gjatë verës dhe pretendon ta shesë të paktën 2 milionë euro më shumë. Bardhezinjtë besojnë se javën e ardhshme, Behrami mund të vihet nën urdhrat e Klaudio Ranierit. Pas lajmit se marrëveshja ndërmjet Juventusit dhe Uest Hemit është e afërt, menjëherë ka reaguar menaxheri i futbollistit, Beltrami. "Valoni ndihet mirë në Angli, ndërsa unë kam biseduar me drejtuesit e klubit dhe ata e cilësojnë të pashitshëm", deklaroi ai. "Mund të them vetëm se interesimi i Juves na bën të ndihemi krenarë dhe kjo nënkupton se Behrami po luan shumë mirë. Uest Hemi ka treguar se nuk dëshiron të heqë dorë prej tij, pasi vetëm pak kohë më parë ata refuzuan një ofertë të rëndësishme, me vlerë mbi 10 milionë euro nga një klub i Premiershipit". Përveç bardhezinjve, në gjurmët e lojtarit ishin edhe Roma e Fiorentina, që duket se duhet të dorëzohen. Behrami ka blerë shtëpi në kryeqytetin anglez dhe ndihet mirë në ambientin e ri. Aq më tepër tashmë që e fejuara e tij është në pritje të lindë fëmijën e tyre të parë.