28 dhjetor 2008

“Juventusi, çfarë emocioni!”

Dy fytyra të reja, dy siguri për të ardh men e Juventusit. Maninger, i mbërritur në Torino për të zëvendësuar portierin më të mirë në botë, Xhixhi Bufon, ka kryer misionin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Amauri, braziliani për të cilin Juventusi shpenzoi plot 24 milionë euro në merkaton e verës, ka mbuluar shkëlqyeshëm mungesën e David Trezegesë, golashënuesit të huaj më të mirë në historinë e “Zonjës së Vjetër”. Me golat e tij është shndërruar në një ndër shtyllat më të rëndësishme të formacionit të Klaudio Ranierit. 2008 për këta dy lojtarë ka qenë një moment magjik dhe të dy janë mëse të lumtur për aventurën e tyre bardhezi. “Dy gjëra kujtoj në veçanti nga ky vit, - shpjegon portieri bardhezi në intervistën për “Juventus Channel” – fundin e kampionatit me skuadrën e Sienës dhe firmosjen e kontratës për Juventusin”. “Të mundja bardhezinjtë për herë të parë në karrierën time me Palermon dhe më pas të transferohesha në këtë klub madhështor”, I përgjigjet të njëjtës pyetjeje sulmuesi brazilian. “Ky ka qenë padyshim momenti më i bukur i këtij viti për mua”, vazhdon të theksojë Amauri. Aventura në radhët e “Zonjës e Vjetër” ka vetëm pak muaj që ka filluar, por të dy të intervistuarit kanë mbetur të magjepsur nga ambienti që kanë gjetur në Torino: “Kam mbërritur vetëm katër muaj më parë, - kujton Maninger – dhe në asnjë vend tjetër nuk kam gjetur kurrë një grup lojtarësh kaq të bashkuar sa këtu në Torino. Edhe pse ndoshta një gjë të tillë mund ta kisha dëgjuar nga lojtarë të tjerë, që kanë qenë në të kaluarën pjesë e Juventusit, tashmë e kuptoj dhe jam i bindur se është pikërisht kompaktësia e lojtarëve, forca më e madhe e kësaj skuadre”. “Nga jashtë të gjithë e dinë se Juventusi është një klub i jashtëzakonshëm, - vazhdon sulmuesi brazilian Amauri – por duke e jetuar nga brenda një eksperiencë të tillë, mund të them që këtu është një mrekulli të punosh me këtë staf dhe të përfaqësosh një fanellë të tillë”. Për vitin e ri, të dy lojtarët mendojnë shumë pozitivisht: “Nga 2009 pres këtë vazhdueshmëri pozitive, - shpjegon Aleks Maninger. – Dua gjithashtu, një perfeksionim personal dhe padyshim që ëndërroj të fitoj diçka të rëndësishme. Kjo është arsyeja që të gjithë lojtarët janë të ekzaltuar kur mbërrijnë te Juventusi”. “Pres që viti i ardhshëm të jetë akoma më shumë pozitiv se sa ky që përgatitemi të lëmë prapa, - tregon Amauri. – Jemi shumë të kënaqur nga ajo çfarë kemi dhënë në këtë fazë të parë sezonale, por nga 2009 të gjithë jemi të bashkuar se duam të bëjmë më shumë se kaq”. Duke u spostuar mbi një temë jashtë botës së futbollit, evenimenti i vitit 2008 që i ka prekur më shumë të dy futbollistët bardhezinj është sigurisht i njëjti: “Kriza botërore financiare që i ka prekur të gjithë është sigurisht diçka shumë delikate”, tregon Amauri, ndërkohë që në të njëjtën linjë komenton edhe Maninger: “Ka pasur njerëz që kanë kursyer paratë e tyre prej 40 vitesh dhe tashmë kanë mbetur pa asnjë para. Më vjen shumë keq, sepse një gjë e tillë tregon sesa e pasigurt është bota në të cilën jetojmë, të paktën në këtë moment”.