14 dhjetor 2008

“Juventusi mbetet gjithmonë një kockë e fortë”

Trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, po e pret me qetësinë më të madhe përballjen Juventus-Milan. “Bardhezinjtë kanë qenë gjithmonë kundërshtari kryesor për t’u mundur në kampionat, – ka thënë tekniku kuqezi. – Kush humbet thellon diferencën me Interin? Edhe mundet, meqenëse zikaltrit do të kenë një takim më të lehtë në letër, por s’besoj se përballja Juve-Milan do të ndikojë shumë në fatin e kampionatit, pasi jemi akoma në gjysmën e tij. Përsa i përket moralit, një fitore kundër juventinëve do të na ngrohte pa dyshim”. I pyetur për gjendjen fizike të brazilianit Kaka, i cili rrezikon të mos luajë kundër torinezëve, kreu i pankinës kuqezi është shprehur: “Nuk jemi as optimistë e as pesimistë. Ka një problem fizik, ndaj deri pak minuta përpara zhvillimit të takimit do ta provojmë nëse do të jetë në gjendje të luajë. Megjithatë, edhe po nuk u stërvit, do ta grumbulloj me shpresën se do e rikuperojmë. Përsa u takon të tjerëve, – ka shtuar më tej Ançeloti, – Sedorf, Ambrozini dhe Pirlo, të cilët ishin të dëmtuar, tashmë janë rikuperuar më së miri. Kështu që ndaj Juventusit do jenë të gatshëm në fushë”. Ndërsa blerjen e mbrojtësit Tiago Silva nga klubi i Milanit, Ançeloti e ka komentuar kështu: “Është një mbrojtës fantastik. Aktualisht është talenti më i mirë në qarkullim. Besoj se do jetë një investim i sigurt për të ardhmen”.