19 dhjetor 2008

Juventusi për Gallasin, Arsenal kërkon Chiellinin

Duket se midis Torinos dhe Londrës do të ketë disa shkëmbime në merkaton e dimrit. Juventusi është në kërkim të Gallas, ndërsa Arsenali ëndërron Chiellinin. Këto janë spekullimet e fundit të merkatos, me bardhezinjtë të cilët janë shumë afër ish-kapitenit të “Topçinjve”. Lojtari francez, nuk po kalon një periudhë shumë të mirë me skuadrën londineze dhe për këtë gjë është menduar edhe një largim të tij. Por, nga ana tjetër skuadra e Arsenalit është shumë e interesuar për mbrojtësin e Juventusit, Giorgio Chiellinin. Ky i fundit është një nga lojtarët më kryesorë të Zonjës së Vjetër dhe duket se Ranieri nuk ka ndërmend të bëjë pa një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së tij. Por në ndjekje të mbrojtësit francez nuk është vetëm Juventusi, por edhe Milani e PSG. Por, edhe Wenger është më i interesuar për një transferim në Itali tek Juventus, sepse dëshiron në skuadrën e tij Chiellinin. Gjithsesi, Gallas është shumë pranë largimit nga klubi londinez dhe për këtë janë të bindur të gjithë edhe shtypi britanik. Nga ana tjetër Juventusi duket se nuk mund të përballojë kërkesën ekonomike të mbrojtësit. Gjithsesi Chiellini ndihet shumë mirë në Torino, dhe duket se nuk ka ndërmend të shkojë diku tjetër. Disa kohë më parë Milani ishte shumë e intersuar për të marrë mbrojtësin, por duket se tani në krye të kësaj tratative është vënë klubi i Juventusit. Gjithsesi, merkato nuk është hapur ende, dhe për të mësuar më shumë nga e gjithë kjo situatë duhet të presim janarit dhe hapjen e merkatos.