25 dhjetor 2008

“Juventusi është maksimumi”

Amauri është më i lumtur se kurrë, pasi aventura me fanellën e Juventusit është padyshim, ashtu siç e konfirmon edhe ai vetë, momenti më i artë i karrierës së tij. Menjëherë është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të skuadrës bardhezi. Golat e tij në Serinë A kanë rezultuar gjithmonë vendimtarë. I fundit dhe shumë i rëndësishëm është shënuar nga ai në ndeshjen e ditës së diel, në transfertën e Bergamos, kundër Atalantas. Pikërisht falë këtij goli, “Zonja e vjetër” ka hipotekuar suksesin dhe i ka lejuar vetes ta mbajë në gjashtë pikë distancën nga kryesuesit e Interit. “Tek Juventusi jam ambientuar në mënyrë perfekte dhe po vazhdoj të shfaq të njëjtën vazhdueshmëri golash që realizoja edhe me Palermon. Gjatë këtyre gjashtë muajve të parë në Torino kam mësuar shumë gjëra, por njëkohësisht tani po mbledh frytet e një pune shumëvjeçare të bërë nga unë. Juventusi është një klub që kuron në detaje çdo gjë dhe të lejon të punosh në mënyrë të shkëlqyer, duke përmirësuar të gjitha pikat e tua të dobëta. Pastaj, gjëja që më bën më tepër përshtypje është marrëdhënia e ne futbollistëve me tifozët, ndërmjet të cilëve ka gjithmonë entuziazëm”, nënvizoi Amauri. Marrëdhënia me Zamparinin – Padyshim që boshllëku i lënë në Palermo nga Amauri është shumë i madh, por nga ana tjetër, Mauricio Zamparini është i lumtur që ish-lojtari i tij po paraqitet shkëlqyeshëm në Torino, për të kujtuar se ka qenë personalisht numri një i skuadrës siciliane që ka bindur brazilianin të zgjedhë “Zonjën e vjetër” kundrejt Milanit. “E ndjek gjithmonë me vëmendje Amaurin, sepse për mua është si një djalë, sikur të ishte sërish një prej lojtarëve të mi. Gjithçka që po realizon tani në radhët e Juventusit e meriton plotësisht. Di që një ndër ëndrrat e tij më të mëdha është përfaqësimi i fanellës së Brazilit dhe i uroj me gjithë zemër që ta realizojë edhe këtë”, thekson Mauricio Zamparini. Po kaq e përzemërt është edhe përgjigja e sulmuesit brazilian të Juventusit në drejtim të ish-presidentit të tij: “Fjalët e presidentit më lumturojnë shumë, pasi në zemrën time, ai vazhdon të jetë dhe do të mbetet presidenti im”.