20 dhjetor 2008

"Çmenden" goglat, sfidë e trefishtë Itali-Angli

Real-Liverpul, superdueli i 1/8 mes gjigantëve të Evropës
Prej vitesh, shortet e kupave të Evropës po dhurojnë surpriza. Edhe këtë vit, golat e Nionit kanë prodhuar një kuadrat të çmendur të 1/8 të Champions League. Tema e ditës është sigurisht sfida e pafundme mes klubeve italiane dhe atyre angleze, që prej disa sezonesh përplas këto shkolla futbolli. Vitin e kaluar, skuadrat britanike imponuan një triumf bindës 3-0. Në 1/8, të dyja milanezet u eliminuan pa histori nga Liverpuli dhe Arsenali, ndërsa Roma (për të dytin vit radhazi), u desh të dorëzohej nga ata që më pas do të shpalleshin kampionë të Evropës, "Red Devils" të Mançester United. Këtë herë, të tria sfidat vijnë menjëherë në turin e parë me eliminim direkt. Inter, pas dhjetë vjetësh, rigjen Junajtidin Aleks Ferguson. Ishin përballur në sezonin ‘98-‘99, kur zikaltrit e "Fenomenit" Ronaldo (jo të Kristianos) humbnin 2-0 në "Old Traford" dhe barazonin 1-1 në shtëpi, duke u eliminuar në 1/8 e një kupe, që u fitua nga Gigs me shokë, falë asaj përmbysjeje në fund në finalen e Barcelonës ndaj Bajern Mynih. Ndërsa nuk ka asnjë precedent për të ilustruar sfidën midis Juventusit e Çelsit. Bardhezinjve, të përfunduar të parët në grupin e tyre, nuk mund t‘u shkonte më keq, ngaqë do të duhet të përballen me nënkampionët në fuqi. E vetmja notë pozitive për italianët (por që dihej) se ndeshja e kthimit do të luhet në fushën e tyre. Prandaj do të jetë fondamentale që Juve të dalë pa humbje nga "Stamford Bridge", për të vendosur gjithçka në ndeshjen e kthimit. Mund të kishte një shans më të mirë edhe Roma e Spaletit, e cila do të përballet me Arsenalin e Arsen Venger. "Topçinjtë" kanë mbyllur grupin e tyre paksa në rënie dhe për faj të humbjes në Oporto dhe u desh të pozicionohen vetëm të dytën. Ekipi i Londrës nuk po përjeton një moment të mirë as në kampionat, ku pozicionohet në vendin e pestë me tetë pikë distancë nga kreu. Të dyja skuadrat ngjajnë shumë, mbi të gjitha për tipin e lojës së tyre, e cila duhet të jetë gjithnjë cilësore për t‘i dhënë mundësi kolektivit të shprehet më mirë. Përveç tri supersfidave të mësipërme, "çmenduria e Nionit" ka prodhuar edhe një nga duelet më të jashtëzakonshme, kur ka përplasur dy gjigantët e futbollit evropian: Liverpul do të duhet të përballet me Realin e Madridit të Huande Ramos, i cili me gjithë krizën që po përjeton, mund ta rimarrë veten deri më 24 shkurt, mbi të gjitha falë prurjeve të reja nga merkato e riparimeve. Sfidë aspak e lehtë edhe për Barcelonën, e cila pas përballjeve në grup vitin e kaluar, gjen sërish Lionin. Në 2007, përfundoi 2-2 në Francë dhe 3-0 në Kamp Nou. Duke parë forcat në fushë, kryesuesit aktualë të "Liga"-s i kanë në favorin e tyre edhe parashikimet, por tetë herë kampionët e Francës nuk nisen të humbur. Mbyllim rrëferimin e "finaleve të parakohshme" dhe kalojmë te tri sfidat më pak prestigjioze në letër: Bajern i Mynihut do të përballet me Sporting Lisbona. Të dyja skuadrat janë përballur në fazën në grupe në 2006-ën, duke shënuar vetëm një gol (në favor të gjermanëve) në 180 minuta. Ndërsa derbi iberiko-luzitan mes Atletiko Madrid e Porto, me garën decizive, e cila do të luhet në tokën portugeze. Do të jetë "Spyro Louis" i Athinës, skena e garës së kthimit mes Panathinaikosit dhe Vijarealit. Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, tani është e nevojshme të gjesh më të shpejtën dhe më pak të vështirën. Qyteti i përjetshëm pret dy finalistët, por që këtu e deri më 27 maj është një faqe e tërë e futbollit për t‘u shkruar.

Champions League

Çelsi-Juventus
Vijareal-Panathinaikos
Sporting L.-Bajern Mynih
Atletiko Madrid-Porto
Lion-Barcelona
Real Madrid-Liverpul
Inter-Mançester
Roma-Arsenal

* Ndeshjet e para do të luhen më 24 dhe 25 shkurt 2009, ndërsa ato të kthimit më 10 dhe 11 mars 2009

Roma
Spaleti: Arsenali,
short jo i keq Trajneri i Romës, Luçiano Spaleti, është entuziast për sfidën me Arsenalin: "Nuk është një short i keq, madje është i mirë. Do të duhet të tregojmë vlerat tona me pak fjalë, dhe shumë disponibilitet e sakrificë, sepse ata janë një skuadër e madhe. Përgëzoj Arsenalin për politikën që po bën. Kanë në skuadër futbollistë të rinj, që do të bëhen kampionë të mëdhenj".

Arsenal
Venger: Janë më të fortët e Italisë
Trajneri i Arsenalit është i bindur se sfida me Romën është 50-50: "Roma është rikthyer në formë dhe në këto momente është skuadra më e fortë e Italisë. Do të jetë një sfidë interesante. Duam të japim maksimumin, por do të jetë me siguri një sfidë e ekuilibruar. Përveç Totit, kundërshtari ynë ka lojtarë teknikë, të cilët është vështirë t‘i ndalosh".

Komenti
Kapelo: Goglat ishin djallëzore!
Fabio Kapelo është shprehur i çuditur nga fakti se tri italiane do të luajnë kundër tri anglezeve. "Shorti i Ligës së Kampioneve ishte djallëzor. Nuk i prisja këto tri përballje. Mendoj se janë ndeshje të paparashikueshme dhe shumë emocionuese. Arsenali, Çelsi e Junajted do ta kenë të vështirë; kjo vlen edhe për Romën, Juventusin dhe Interin".

Bajern Klinsman: Short mjaft i bukur
Bajerni i Mynihut do të përballet me Porton dhe Jurgen Klinsman ka të drejtë që të ndihet optimist. Trajneri i gjigantëve bavarezë mund të mbështetet edhe te statistikat: portugezët nuk kanë fituar asnjë prej 14 ndeshjeve me ekipet gjermane. "Shorti ishte mjaft i bukur për ne, u shpreh Klinsi. Kemi shanse të mira të arrijmë në çerekfinale, por, nuk e nënvlerësojmë kundërshtarin".

Barça Mesi paralajmëron një sfidë delikate
Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, ka paralajmëruar skuadrën e tij se rruga drejt çerekfinaleve nuk do të jetë si një shëtitje, pasi Lioni është një rival i vështirë. Katalanët shmangën përballjen me Çelsin, Interin apo Arsenalin, por argjentinasi tha: "Lioni është skuadër e fortë. Disa mendojnë se shorti na favorizoi, por nuk do të jetë e lehtë. Ata kanë shumë kualitete".

Inter-Man UTD

Murinjo: Doja më të mirët
Ferguson: Sfidë interesante
Trajneri i Interit, Hoze Murinjo, duket i qetë, pavarësisht se do të përballet me Mançester Junajted, kampione në fuqi e Champions. Për luzitanin do të përsëritet sfida me "Djajtë e Kuq" dhe Sër Aleks Ferguson. Ai tha: "Po, dëshira ime u realizua. Kërkoja të ndeshesha me më të mirët dhe Mançesteri është skuadra kampione e Evropës, që drejtohet nga një trajner i madh si Aleks (Ferguson). Do të jemi shumë të motivuar për këtë sfidë dhe mendoj se në shkurt do të shihni Interin më të mirë". Dueli i parë ndërmjet trajnerëve daton në vitin 2004, edicion në të cilin Murinjo fitoi titullin evropian me Porton. "Fakti që do të kem sërish si kundërshtar Murinjon është interesant", tha Ferguson që në vitin 2007 humbi finalen e FA Cup kundër Çelsit të portugezit. "Kur drejtonte Porton na eliminoi nga aktiviteti, tani shpresoj që të kemi më shumë fat. Interi ka një rekord të jashtëzakonshëm në kampionat dhe duhet të jemi të përqendruar maksimalisht".

Çelsi-Juventus

Ranieri nuk është i lumtur
Del Piero: Ekip i shkëlqyer
Për të tretën herë radhazi, Juventusi gjen në fazën eliminatore një kundërshtar anglez. Por, kundër Çelsit, kjo është ndeshja e parë zyrtare në aktivitetet ndërkombëtare. Një sfidë që ka shije të veçantë për Klaudio Ranierin, ish-trajnerin e bluve londinezë. "Katër vjet nuk mund të harrohen. Mendoj se Juve-Çelsi do të jetë një përballje e bukur, shumë interesante. Megjithatë, mund të them se nuk jam i lumtur", deklaroi tekniku bardhezi. "Takimet e italianeve kundër anglezeve do të shërbejnë sa vlen futbolli i Serisë A kundër padronëve të... parave. Çelsi është njëra prej favoriteve për të fituar trofeun. Abramoviç e ndërtoi skuadrën për të triumfuar në Champions, e nëse kjo nuk ndodh do të ishte një tronditje e madhe". Rreth kundërshtarëve, kapiteni Del Piero tha: "Është një short i vështirë. Në këtë fazë, të gjitha skuadrat janë të vështira, por Çelsi ka në dispozicion një kontingjent të shkëlqyer futbollistësh".

Real Madrid
Ramos, i pakënaqur për Liverpulin
Huande Ramos, tekniku i Realit të Madridit, është shprehur i pakënaqur me verdiktin e shortit, që i ka vendosur spanjollët përballë Liverpulit. Drejtuesi i stolit "merengues" shpresonte të shmangte përballjen me skuadrat angleze, por theksoi se as Liverpuli nuk mund të ishte i kënaqur. "Nuk na pëlqeu shorti, për shkak të kundërshtarit që do të kemi përballë dhe mendoj se edhe te Liverpuli mendojnë të njëjtën gjë", tha Ramos. "Benitez e njeh mirë Realin, por edhe unë e njoh Liverpulin dhe Benitezin pas përvojës në Angli. Ata janë një skuadër e fortë, por ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe nuk i trembemi askujt".

Liverpul
Benitez kundër së kaluarës madrilene
Finalja e parakohshme ndërmjet Realit të Madridit dhe Liverpulit do të vendosë Rafa Benitez kundër së kaluarës në "Santiago Bernabeu". Tekniku i "Reds" është formuar si futbollist në akademinë e Realit, ndërkohë që e ka filluar karrierën si trajner në skuadrat e moshave dhe ekipin "B" të këtij klubi: nëntë vjet të kaluara me "merengues". Sfida ndërmjet këtyre dy skuadrave cilësohet e madhe, jo vetëm për emrin që kanë në arenën ndërkombëtare, por edhe sepse ato kanë fituar në total 14 tituj kampionë të Evropës. Për herë të fundit, dy skuadrat janë takuar në finalen e vitit 1981, ku spanjollët u shpallën fitues në Paris.