14 dhjetor 2008

Ranieri: Humbësi nuk del nga gara

"Nuk do të habitesha aspak nëse Kaka do të zbresë në fushën e lojës"
Juventus-Milan është derbi i vërtetë i Italisë. Klaudio Ranieri mbështet fjalët e sulmuesit kuqezi, Andrij Shevçenko. Në fushën e lojës do të përballen dy rivale të vjetra: në njërën anë skuadra që ka fituar më shumë në Serinë A, ndërsa në anën tjetër klubi më i suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, është ende shpejt për të folur për një ndeshje decizive në garën për titull, por sot Juve dhe Milan do të përcaktojnë skuadrën e vërtetë anti-Inter. Për bardhezinjtë mungon Kamoranezi, ndërsa në kampin tjetër prezenca e Kakasë është në dyshim. Gjithsesi, për të marrë tri pikët në shtëpi, Ranieri kërkon të njëjtin Juventus me atë që "nënshtroi" Realin e Madridit.
Derbi
"Sheva mendon se ky është derbi i vërtetë i Italisë? Mendoj se ka të drejtë. Mos harroni që Milani është klubi kampion i botës dhe të dielën (sot) do të përballemi me një skuadër të madhe. Nuk ka se si të jetë një ndeshje normale, për ne është po aq e rëndësishme sa sfida me Interin. Fitorja do të na shkëpuste 3 pikë nga Milani dhe do të na ndihmonte të ruajmë distancën nga Interi. Gjithsesi, rezultati i këtij 90-minutëshi nuk do të thotë asgjë, ka ende shumë javë përpara se të mbyllet sezoni dhe jo gjithmonë në përballje të tilla fiton ekipi më i fortë. Ai që do të humbasë të dielën nuk mund të quhet jashtë garës për titull, por do t‘i duhet të bëjë një sforco të jashtëzakonshme për të mbajtur hapin e kryesuesve (në këtë rast Interit). Por, nëse diferenca me gjashtë pikë nga zikaltrit do të zvogëlohej përpara pushimit dimëror, do të ishte edhe më mirë".
Mungesat
"Kamoranezi nuk do të jetë prezent: ndjen ende dhimbje kur e gjuan topin dhe kur dylufton. Shpresuam se do të ishte në dispozicion të skuadrës, por ai nuk është rikuperuar dhe nuk mund ta rrezikojmë. Kaka është në dyshim? Për të munguar në një sfidë të tillë, një lojtar duhet të jetë vërtet në gjendje shumë të keqe. Megjithatë, nuk do të habitesha nëse ai do të jetë i gatshëm për të luajtur. Sisoko ka qenë me grip, por kjo zgjati vetëm një ditë dhe nuk është në dyshim. Salihamixhiç është më mirë, do ta kem në dispozicion. Zaneti është rehabilituar dhe 90 minutat kundër Bates i shërbyen".
Kampionët
"Ronaldinjo? Ka lojtarë për të cilët ia vlen të paguash çmimin e biletës, ai është njëri prej tyre. Është në gjendje të dhurojë magji, duhet ta neutralizojmë. Megjithatë, nuk duhen harruar as të tjerët. Në anën tjetër Gatuzo është lider për grintën në fushë dhe motivimin që i jep skuadrës. Si njeri i sportit ndjej keqardhje që është dëmtuar, i uroj të shërohet sa më shpejt. Pres të jetë një ndeshje shumë taktike, por mendoj se të tria rezultatet janë të pranueshme".

Kamoranezi
Mesfushori nuk është grumbulluar për sfidën e sotme, për shkak dëmtimi. Rikuperohen plotësisht Sisoko, Salihamixhiç dhe Kristiano Zaneti

Kaka
Ançeloti ka konfirmuar se mesfushori brazilian është në dyshim për sfidën me Juventusin. Vendimi do të merret vetëm pak orë përpara ndeshjes

Derbi i Italisë
Ashtu si Shevçenko, edhe Ranieri mendon se Juventus-Milan është "derbi i vërtetë i Italisë", pasi luajnë dy ekipet më të suksesshme të këtij kampionati

Anti-Inter
Sipas drejtuesit të stolit bardhezi, pavarësisht rezultatit në sfidën e sotme, "si Juventusi ashtu edhe Milani mund të cilësohen rivalet e zikaltërve, sepse ato e ndjekin skuadrën e Murinjos në distancë të afërt"