27 dhjetor 2008

Ranieri: Ja momentet më të bukura të Juventusit në 2008-ën

Vendi i tretë në sezonin e kaluar dhe rikthimi në Champions League, fazë e mrekullueshme në grupe, që arrin kulmin me vendin e parë para Real Madridit dhe aktualisht e dytë në tabelën e Serisë A, pas shpatullave të Interit. Bëhet fjalë për Juventusin, skuadrën e drejtuar nga Klaudio Ranieri, për të cilën 2008 ka qenë një vit i mbushur me kënaqësi. Edhe vetë tekniku e pranon, se "janë të shumta ngjarjet që më kanë mbetur në mendje si p.sh. ndeshjet e fituara kundër Milanit, Interit në shtëpinë e tyre dhe Romës. Të triumfosh në fazën para eliminatore të Champions dhe pastaj të marrësh vendin e parë në grup, pasi ke fituar në Madrid, është me të vërtetë një triumf i madh. Këto janë perla që do t‘i kujtojmë për vitin 2008". Por analiza e Ranierit nuk ndalet te suksesi. Trajneri identifikon edhe kualitetin e rëndësishëm të Juventusit, që do të jetë një armë më shumë për pjesën e mbetur të këtij sezoni në 2009-ën. "Soliditeti që na kanë dhënë kampionët tanë dhe pastaj fakti se të gjithë djemtë, të cilët i blemë në merkato, kanë mundur të integrohen shumë mirë, nënvizon trajneri i bardhezinjve, na ka ndihmuar. Të gjithë lojtarët, kampionë të mëdhenj apo jo, luajnë me zemër për skuadrën".