19 dhjetor 2008

Sissoko: Duhet të fitojmë diçka këtë vit

Në një intervistë për një gazetë italiane, Mohamed Sissoko ka deklaruar se është shumë i lumtur që ka ardhur tek Juventusi, dhe se kjo skuadër meriton të fitojë diçka të rëndësishme. Sissoko ishte një nga blerjet më të mira të Juventusit, dhe forma e tij fizike është vënë re edhe tek rendimenti i skuadrës. Gjithsesi ai mendon se skuadra është duke luajtur shumë mirë dhe se meriton të jetë aty ku është. “Mendoj se jemi në vend të dytë me meritë. Kemi mundësi për të punuar mirë dhe kështu jemi duke bërë. Jam i lumtur me këtë periudhë të mirë në klub. Interi është një skuadër shumë e fortë nga ana teknike, por ne jemi më shumë skuadër. Mendoj se kampionatin do ta fitojë skuadra që do të fitojë më shumë. Edhe ata janë me meritë aty ku janë sepse janë duke bërë një punë të mirë”, tha Sissoko. Por kur e pyetën nëse dotë zgjidhte midis Champions League dhe kampionatit, kë do të zgjidhte ai tha: “Të dyja, por do të isha i kënaqur edhe vetëm me një. Mendoj se kemi të gjitha mundësitë për të shkuar larg në të dy kompeticionet dhe për të bërë një figurë të mirë. Kemi lojtarë shumë të mirë edhe pse gjatë gjithë kësaj periudhe kemi patur shumë mungesa. Gjithsesi, kjo nuk ka penguar të tregojmë vlerat tona në këtë lojë dhe mendoj se kemi arritur të tregojmë se mund të fitojmë kundër të gjithëve edhe në kampionat por edhe në Champions League. Kemi marrë një fitore shumë të rëndësishme kundër Milanit dhe kjo fitore do të na japë shumë moral për ndeshjet e ardhshme. Mendoj se mund të vazhdojmë në këtë mënyrë”.