16 dhjetor 2008

Xhilji e Seko: Jemi edhe ne për titull

Presidenti dhe drejtori sportiv i Juves: "Edhe me pak shpenzime mund të bësh një skuadër të madhe Për titull është edhe Juve. "Fitorja ndaj Milanit ka qenë një përgjigje për ata që thoshin se, titulli ishte vetëm një çështje mes Interit dhe Milanit, ka thënë presidenti i bardhezinjve, Xhovani Koboli Xhilji. Por tashmë ne jemi futur në mes". Por mos e quani këtë Juventus anti-Inter... Sepse "për momentin i vetmi kundërshtar i vërtetë i Interit është Interi, ka shtuar ai, duke ndërhyrë në emisionin ‘La politica nel pallone‘, rubrikë e ‘Gr Parlamento‘. Ai Inter, i cili megjithatë ka demonstruar në Evropë se, mund të jetë kundërshtar i vetvetes, prandaj i kemi lënë të hapura dyert e shpresës. Kundër Milanit kam parë të luajë një skuadër, e cila mund të jetë kompetitive për titullin kampion, këtë vit apo vitin tjetër, ka vazhduar më tej presidenti i bardhezinjve. Është e drejtë të thuash, se kundër kuqezinjve, Juvja ka konfirmuar vlerat e saj. Por tashmë të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse Interi për momentin ka plot 6 pikë avantazh. Fitorja kundër Milanit sigurisht që ishte shumë e rëndësishme. Ka sjellë një gëzim të madh, por gjithsesi vlen vetëm tri pikë. Por kujtimi i kësaj ndeshjeje do të mbetet për shumë kohë në mendjen e tifozëve bardhezi". Po ashtu nuk i ka kursyer elozhet për Amaurin, por jo vetëm për të. "Amauri është një lojtar i madh, ka thënë Koboli Xhilji, po luan gjithmonë e më mirë. Dhe shokët e skuadrës e kanë furnizuar në mënyrë perfekte. Por unë nuk e harroj kurrë kapitenin tonë, Del Piero ka bërë një ndeshje të madhe". Më pas ai ka folur edhe rreth të rinjve. "Markisio e De Çelje janë prova e mrekullueshme se çfarë mund të bëjnë të rinjtë". Juventusi anti-Inter nuk fshihet. Alesio Seko e shijon fitoren ndaj Milanit dhe shikon përpara me pak më shumë siguri. "Interi nuk është shumë larg nesh, thotë drejtori sportiv i bardhezinjve, por duhet të jemi pragmatikë. Nuk kemi bërë asnjë llogari dhe kemi arsyetuar ndeshje për ndeshje. Nuk kemi përjashtuar asnjë objektiv, por duhet të vazhdojmë kështu edhe më tej. Është e drejtë të themi se, Juve mund të luftojë për çdo objektiv, por tani është momenti të flasim pak dhe të punojmë shumë. Më në fund të gjithë duhet ta kuptojnë se nuk është e thënë se duhet të shpenzosh shumë për të qenë një skuadër e madhe. Këtë ka bërë Juventus", përfundon Seko.