30 dhjetor 2008

YJET që pritet të popullojnë Serinë A

Diego - INTER - Cmimi 10-20 Milion Euro
Zhoze Murinjo është shumë i kënaqur nga bilanci i 17 ndeshjeve të para në stolin e zikaltërve, por portugezi kërkon t’i shtojë disi më shumë fantazi mesfushës së tij. I vetmi fantazist në qarkullim për momentin duket braziliani Diego. Mesfushori i Verder Bremenit është i sigurt se në janar, apo në përfundim të këtij sezoni, do ta lërë përfundimisht skuadrën e drejtuar nga Tomas Shaf, ndërkohë që emrat e skuadrave të interesuara për të janë të shumta. Juventus dukej shumë pranë arritjes së marrëveshjes me brazilianin, por në ditët e fundit mësohet se Interi ka filluar kontaktet me Diegon, e ardhmja e të cilit tashmë duket e destinuar të jetë Seria A. Numri 10 i Verder Bremenit kushton mbi 15 milionë euro, por presidenti zikaltër, Masimo Morati, dihet që kur bëhet fjalë për kampionë nuk i kursen paratë.


Andrej Arshavin - JUVE/INTER - Cmimi 10 Milion Euro
Futbollisti rus më i spikatur i përfaqësueses së Gus Hidink në Evropianin e 2008, Andrej Arshavin, është objekti i dëshirës së shumë skuadrave, ku spikasin ato të Premier Ligës, por edhe pistat italiane nuk mungojnë. Në fillim të këtij sezoni ishte shumë pranë transferimit tek Totenhem, por rusi tashmë duket i bindur për t’u aktivizuar në Serinë A. Inter dhe Juventus janë dy skuadrat që kërkojnë një fantazist në mesfushën e tyre dhe lojtari rus është një alternativë serioze, ndonëse askush nga dy skuadrat italiane nuk ka bërë një ofertë zyrtare në drejtim të tij dhe klubit të Zenitit. Shifra e transferimit rrotullohet te shifra e mbi 10 milionë eurove, një arsye më shumë për të përvetësuar cilësitë teknike të Arshavinit.


David Silva - JUVENTUS - Cmimi 20 Milion Euro
David Silva, shumë pranë Juventusit. Kjo është ajo çfarë mediat spanjolle e ato italiane thonë prej kohësh. Kriza financiare globale e ka prekur rëndë skuadrën e Valencias, e cila duhet të shesë medoemos ndonjë nga dy yjet e saj, nëse do që të shpëtojë. Klaudio Ranieri dhe skuadra e Juventusit do të ishin të gatshëm ta “ndihmonin” me 20-25 milionë euro Valencian, që ka më tepër se 150 milionë euro borxhe dhe 200 milionë të tjera të investuara në ndërtimin e stadiumit të ri të kësaj skuadre. Pikërisht për këtë arsye, bardhezinjtë, të cilët me rikthimin në Ligën e Kampioneve kanë pasuruar arkat e klubit të tyre, kanë shansin më të mirë të mundin konkurrencën e skuadrave të tjera të interesuar për David Silvan, i cili shihet si zëvendësuesi ideal për Kamoranezin dhe Pavel Nedved në Torino.


Rud Van Nistelroi - ROMA - Cmimi 10 Milion Euro
Reali i Madridit dhe Rud Van Nistelroi duket se do t’i japin lamtumirën njëri-tjetrit në përfundim të këtij sezoni, moment në të cilin pritet dhe rikuperimi i dëmtimit që aktualisht sulmuesi holandez vuan. 32-vjeçari ka një kontratë me “galaktikët”, që skadon në vitin 2010, por me blerjen e Klas-Jan Huntelar dhe përforcimeve të tjera që priten në sulm gjatë merkatos së janarit, Realit nuk i shërben më Van Nistelroi. Por sulmuesi shtatlartë holandez është lojtari që klubi i Romës ëndërron të ketë në gjirin e saj prej dy sezonesh, një sulmues që të garanton 20 gola në sezon. Vetëm se pengesë për kryerjen e një transferimi të tillë në radhët e formacionit italian mund të jetë përfitimi i lartë vjetor i Nistelroit, 5 milionë euro në sezon, ndërkohë që maksimumi që Roma mund t’i ofrojë është 2 milionë.
Lukas Podolski - ROMA - Cmimi 10 Milion Euro
Sigurisht që një tjetër sulmues që u intereson shumë verdhekuqve është edhe Lukas Podolski. 23-vjeçari gjerman vazhdonte të mos gjejë hapësirë në radhët e Bajernit të Mynihut, pasi Jurgen Klinsman i beson verbërisht dy gjigantëve të sulmit të tij, Luka Tonit dhe Miroslav Kloses. Për këtë arsye, Podolski jo pak herë ka shfaqur dëshirën për t’u larguar, madje më hapur se ç’duhet. Ndër preferencat e tij më të mëdha është transferimi te Këlni, skuadër tek e cila është rritur. Por, së fundmi, sulmuesi i bavarezëve është shfaqur shumë i interesuar edhe për ofertat e ardhura në adresë të tij nga Italia, e padyshim që Roma do të ishte një sistemim i mrekullueshëm për të. Nga ana tjetër, edhe trajneri i verdhekuqve, Luçiano Spaleti, do të kishte në dispozicion sulmuesin e shumëkërkuar.
Juri Zhirkov - JUVENTUS - Cmimi 15 milion Euro
Pavel Nedved ka mbërritur në fund të karrierës së tij sportive dhe dëmtimet vazhdojnë e të bëhen më të shpeshta për të. Duke lënë mënjanë problemet fizike të mesfushorit çek të Juventusit, skuadra kërkon me çdo kusht të gjejë një zëvendësues të denjë për Nedvedin. Përveç Silvas, për të cilin janë në luftë dhe skuadra më të pasura se bardhezinjtë, një tjetër alternativë e shkëlqyer që u pëlqen të gjithë drejtuesve torinezë është ajo e Juri Zhirkov, futbollisti rus që spikati në Evropianin e këtij viti dhe vazhdon të paraqitet shkëlqyeshëm edhe me CSKA-në e Moskës. Zhirkov do të ishte i nderuar të përfaqësonte ngjyrat bardhezi, mirëpo për ta lënë të lirë lojtarin, klubi rus kërkon minimalisht 15 milionë euro, shifër mëse e pranueshme për “xhepat” e “Zonjës së vjetër”.