25 dhjetor 2008

Zenit e Spërs për sulmuesin

Vinçenco Iakuinta mund të gjejë një tjetër sistemim larg Torinos gjatë merkatos së janarit. Sulmuesi i formacionit bardhezi vazhdon të mos ketë hapësirë në radhët e skuadrës së Ranierit. Duke parë që ofertat serioze në drejtim të tij nuk mungojnë, atëherë kalabrezi mund të fillojë t’i vlerësojë ato. Të shumta janë skuadrat nga Premier Liga që do të bënin të jashtëzakonshmen për të pasur në gjirin e tyre Iakuintan, por mbi të gjitha spikat Totenhem Hotspërs. Duke parë që bardhezinjtë janë interesuar për organizatorin Luka Modriç, anglezët nuk do t’i thoshin jo një shkëmbimi ndërmjet Iakuintas dhe Modriç. Por pavarësisht kësaj mundësie të artë, oferta e bujshme për lojtarin e “Zonjës së Vjetër” vjen nga Rusia. Zeniti i Dik Advokat ka gati një kontratë milionere për Iakuintan, e cila vështirë se mund të refuzohet (3 vjet për 3.5 milionë euro në sezon).