31 janar 2009

Media rindez çështjen e trukimit të ndeshjeve

Bomba e lëshuar mëngjesin e djeshëm nga e përditshmja italiane jo sportive, “Il Giornale”, mbi titullin e fituar nga Interi në sezonin e kaluar është përgënjeshtruar nga burime gjyqësore. Sipas tyre, nuk ekziston asnjë çështje në Prokurorinë e Milanos mbi ndeshje të humbura në mënyrë të qëllimshme nga zikaltrit për të mbajtur gjallë kuotat e basteve, në mënyrëqë interistët të vinin duart tek titulli kampion vetëm në ndeshjen e fundit të sezonit. Ndërkohë, komenti i presidentit të klubit zikaltër ka qenë shumë i ashpër: “Artikulli i botuar nga ‘Il Giornale’ është një idiotësi”. Gjithsesi, një çështje e tillë nuk ka kaluar pa u vënë re gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që më poshtë ndjek kronologjia e kësaj ngjarjeje. 15:19 Komunikata zyrtare e Interit “Në lidhje me titullin e pabazuar të publikuar sot (dje) në faqen e parë të gazetës ‘Il Giornale’, e cila përmbante një deklaratë që nuk është bërë asnjëherë, – shkruhet në një deklaratë të publikuar në uebsajtin zyrtar të klubit zikaltër, – F.C Internacionale Milano thekson se, siç e ka bërë të ditur edhe Prokuroria e Milanos, nuk ekziston asnjë çështje për amendamentin e kampionatit 2007-2008 dhe në veçanti për Interin. Shoqëria do t’u drejtohet të gjitha institucioneve përkatëse, për të pastruar imazhin e saj”. 14:48 Replika e “Il Giornale” “Il Giornale” i ka kthyer përgjigje presidentit të Interit, Masimo Moratit, i cili e ka përkufizuar si “idiotësi” artikullin e publikuar dje në të përditshmen italiane, ku hidhej hija e dyshimit për bastet e titullit të fituar nga Interi në sezonin e kaluar. “Il Giornale” replikon në një deklaratë se “presidenti i Interit është i lirë ta quajë ‘një idiotësi’ raportin e policisë të depozituar në gjykatë nga prokuori Stefano Çivardi, por nuk mund ta përkufizojë “një idiotësi” artikullin e gazetës, që është limituar vetëm në raportimin e një lajmi të vërtetë”. Dhe përfundon: “Të informosh njerëzit dhe të japësh lajme është puna e gazetarëve, i pëlqen apo jo presidentit Morati”. 13:40 Morati: “Artikulli është një idiotësi” “Është një idiotësi”. Kështu e ka komentuar Morati artikullin e “Il Giornale”. “Është përgënjeshtruar nga prokuroria, – është shprehur Morati, – dhe kështu nuk ka nevojë që ta përgënjeshtroj edhe unë”. 13:40 “Il Giornale”: “Është fakt” E përditshmja italiane mbron atë që ka publikuar mëngjesin e djeshëm, duke u bazuar në një ulje të rendimentit të lojës në pjesën e fundit të sezonit të kaluar për të evituar fitoren e parakohshme të titullit, duke favorizuar kështu baste të ligjshme për ndeshjet e kampionatit. 13:00 Inter, Paolilo: “Budallallëqe” Administratori i deleguar i Interit, Ernesto Paolilo, i ka përkufizuar si “budallallëqe” publikimet e gazetës, të cilat më pas janë përgënjeshtruar nga prokuroria. “Unë vetëm mund të tallem me to”, ka thënë Paolilo. 11:09 Burimet gjyqësore përgënjeshtrojnë hetimin Lajmi ka bërë bujë në Prokurorinë e Milanos, e cila ka përgënjeshtruar çfarëdolloj hetimi që ka lidhje me Interin. “Nuk ka asnjë çështje në Prokurorinë e Milanos lidhur me ndeshjet e humbura qëllimisht nga Interi në kampionatin e vitit 2007-2008”, kanë deklaruar zëdhënësit e këtij institucioni. 10:30 Morati: “Nuk di asgjë” Pasi është lajmëruar menjëherë pa hyrë në zyrat e Saras, Masimo Morati nuk ka komentuar lajmin e përhapur nga “Il Giornale”, duke shpjeguar shumë ironikisht se nuk e kishte lexuar ende. 09:00 “Il Giornale”: “Inter, ndeshje të humbura për të favorizuar bastet” Ky është titulli me të cilin gazeta e përditshme milaneze ka shpërthyer bombën “Inter”. Pikërisht kjo gazetë citonte një raport të policisë të urdhëruar nga zëvendësprokurori, Stefano Çivardi, në të cilin agjenti special Elio Spandone deklaronte: “Ekziston ndjesia se kishte ardhur një moment që ishte ulur rendimenti i lojës së Interit për të ndihmuar një afrim të skuadrës së Romës”. Raporti është kërkuar për të gjetur disa gjëra, të cilat lidhin Mansinin dhe disa lojtarë të tjerë të klubit zikaltër, si dhe rrobaqepësin Domeniko Breshia.