31 janar 2009

Ronaldo forcon Manchesterin në krye të tabelës

Një penalti e shndërruar në gol nga Cristiano Ronaldo ka mjaftuar për t’i sjellë tri pikë të reja kampionit në fuqi, Manchester United, në ndeshjen ndaj Evertonit në Old Trafford.
Evertoni vizitoi Old Traffordin pas dy barazimeve kundër Liverpoolit dhe një barazimi tjetër kundër Arsenalit, dhe tregoi organizim dhe prirje për ta përsëritur këtë sukses.Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi dy minuta para fundit të pjesës së parë, pasi Mikel Arteta ndërhyri lehtas ndaj Michael Carrick, edhe pse rasti nuk u duk të ishte aq serioz për penalti. Ronaldo nuk huqi nga pika e bardhë, duke i sjellë kështu edhe fitoren 1-0 Manchesterit.Me tre pikët e fituara, ekipi i drejtuar nga Sir Alex Ferguson ngrihet pesë pikë mbi ndjekësit, Chelsea dhe Liverpool. Dy ekipet do të mund ta zvogëlojnë diferencën e pikëve kur nesër do të përballen mes tyre në Anfield, në derbin më të rëndësishëm të javës në Premierligë.Dy ekipet tjera, Aston Villa dhe Arsenali, sot barazuan pa gola në fusha të veta në ndeshjet kundër Wigan Athletic, respektivisht West Ham United.Ndeshja mes Manchester United dhe Everton u karakterizua edhe me një rekord tjetër. Portieri Edwin van der Sar ruajti edhe kësaj here portën e pa prekur, duke thyer rekordin e mëhershëm prej 1,103 minutash pa pranuar gol.